Konfirmon ndërtimin me koncesion të autostradës Milot-Fier, Rama: Kemi pritur më shumë se ç’duhet nga BE – Stop
Lajme, Të Gjitha

Konfirmon ndërtimin me koncesion të autostradës Milot-Fier, Rama: Kemi pritur më shumë se ç’duhet nga BE

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë mandatit të tretë qeverisës të socialistëve do të nisë ndërtimi i autostradës Milot-Fier, projekt i cili do të ndërtohet me koncesion.

Z. Rama tha se Shqipëria ka pritur më gjatë se ç’duhej që ky projekt shumë i rëndësishëm i Procesit të Berlinit të financohej nga BE, gjë që nuk ka ndodhur ndaj do të nisë puna për ndërtimin e saj.

“Ky do të jetë mandati i kantierit të madh të ‘korridorit blu’, më i madhi në historinë e infrastrukturës rrugore në Shqipëri dhe në harkun e 5 viteve do të kemi një autostradë të standardeve evropiane nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës dhe Rrogozhinës. Kemi pritur gjatë, më gjatë se ç’duhej pritur që ky projekt i Procesit të Berlinit të financohej nga BE, por nuk do të presim do fillojmë punën”, tha kryeministri.

Një vit më parë qeveria socialiste e prezantoi koncesionin e rrugës Milot-Fier si projekt kryesor, pjesë të të ashtuquajturit “Korridori Adriatiko-Jonian”, i cili do të nxisë më tepër lëvizjet tregtare dhe turistike. Punimet thuhej se do të nisnin brenda vitit të ardhshëm dhe përfundimi i plotë i segmenteve do të mbyllej brenda 5 vitesh.

Segmentet e rrugës Milot-Fier janë:

Milot – Thumanë, 13.5 kilometra

Thumanë – Kashar, 20 kilometra

Kashar – Pezë Helmes, 9 kilometra

Pezë Helmes – Luz i Vogël, 24 kilometra

Luz i Vogël – Lekaj – Rrogozhinë, 8 kilometra

Rrogozhinë – Bypass i Fierit, 38 kilometra

Koncesioni është parashikuar të jetë për 35 vite. Ai parashikohet të ketë kosto prej rreth 1.2 miliardë euro me nënkalimi dhe mbikalime, gardhe sigurie, rrugë hyrje-daljeje, zona parkimi dhe monitorimi. Shpejtësia e lejuar parashikohet të jetë nga 90 deri në 130 kilometra në orë.

Operimi i rrugës nga koncesionari do të jetë me pagesë rreth 7.5 euro. Kjo dhe kostoja e lartë prej 1.2 miliardë eurosh nxiti opozitën të akuzonte qeverinë për aferë korruptive dhe abuzim me paratë publike në kurriz të qytetarëve.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *