I prishin shtëpinë dhe biznesin, por vlera e dëmshpërblimit është qesharake. 5 prill 2018

Hektor Kamberaj është përballur me shembjen e shtëpisë dhe biznesit të tij në Kamëz për arsye interesi publik.

“Jam me aktivitet tregtar këtu që në vitin 1985. Në vitin 1990 dolëm me vetëfinancim, në vitin 1991 dolëm privatizim, pastaj bëra legalizimin e objektit. Bëra dhe zgjerimin e lokalit, bëra aplikimin te ALUIZN-i, legalizimin, mora certifikatën e ndërtesës, por pak ditë më parë më vjen një shkresë, ku thuhet që do të shpronësohem.

Shkresa ka ardhur nga rektorati, por e përcjellë nga Ministria e Arsimit. Ishte një vlerë 126 milionë lekë për 450 metra dyqan dhe 202 metra shtëpi se toka nuk është përfshirë në këtë vlerë, pasi nuk është marrë nga Hipoteka sepse nuk është bërë VKM-ja.

Mua s’më kanë marrë, as kanë ardhur në dyqan të pyesin për dokumentet, as kam bërë matje, vetëm ka ardhur shkresa”.

Si masë dëmshpërblimi i kanë caktuar shumën prej 126 milionë lekësh të vjetra, ndërkohë që rivlerësimi në certifikatën e pasurisë është 1.1 miliardë lekë. Nga ana tjetër një studio private e ka vlerësuar pronën rreth 420 milionë lekë të vjetra.

Ndërsa inxhinierja Mesude Ahmetaj thotë se vlera e pronës së Hektor Kamberajt kap shumën e 580 mijë eurove.

“Hektori si pronar ka bërë vlerësimin e pronës në mënyrë private, e ka paraqitur në ZRPP për të bërë pagesën e tatimit dhe vlerësimit, që prona e tij të marrë një vlerë. Vlera e kësaj prone, e bërë në vitin 2017, për pjesën e ndërtesës si një kat banim dhe dy kate biznes është rreth 860 mijë euro. Përveç kësaj duhet të them që çdo zonë e Tiranës me vendim qeverie çdo vit del me një çmim reference. Në zonën ku ndodhet prona, aktualisht prona ka një vlerë 70 mijë lekë për metër katror për banesat dhe dyfishin e saj për aktivitetet. Po të llogaritet me sipërfaqen që ka patur prona e Hektorit, shkon në vlerën e 580 mijë eurove.”

E pyetur nga gazetari i emisionit “Stop” rreth vlerësimit që i ka bërë një studio private pronës, inxhinierja u shpreh se nuk bën “vaki” që 650 metra katrorë pronë të vlerësohet rreth 420 milionë lekë të vjetra.

Por përsa i përket vlerësimit të Ministrisë së Arsimit, Ahmetaj tha: “Shteti ose njerëzit që janë në një vend pune, të fusin vlera për qejfin e vet? Nuk e bëjnë dot se këto bëhen me vlerësim!”

Të Fundit