Greqia zgjat shtetrrethimin, mbi 200 viktima nga COVID-19 gjatë fundjavës

Qeveria greke ka vendosur të zgjasë izolimin kombëtar përtej fundit të nëntorit si pasojë e numrit të lartë të rasteve të reja me COVID-19 si dhe mbingarkesës në spitale.

“Bazuar në shifrat e fundit të pandemisë, presionit në sistemin shëndetësor dhe në përhapjen e sëmundjes, është e qartë se masat parandaluese nuk mund të hiqen në fund të këtij muaji”, njoftoi Vassilis Kikilias, ministri grek i Shëndetësisë.

Greqia, e cila ka një popullësi prej 11 milionë banorëshh, tani ka më shumë se 92,000 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 1,714 viktima, ku më shumë se 1000 prej tyre janë regjistruar gjatë muajit të fundit. Shtretërit në pavionin e kujdesit intensiv janë gjithashtu në fundin e kapaciteteve të lira. Shtetrrethimi i dytë në Greqi u urdhërua në fillim të muajit dhe njoftimi paraprak ishte se do të mbahej deri më 30 nëntor.

Të hënën, ushtria ndërtoi një spital në terren në qytetin verior të Selanikut për të mbajtur nën kontroll kapacitetet e spitaleve përballë numrit të lartë të të infektuarve.

Zv. ministri i Mbrojtjes, Alkiviadis Stefanis, tha se spitali që po ndërtohet nga ushtria do të jetë gati në fund të javës.

Spitali është parashikuar të ketë 50 shtretër normalë për pacientët e COVID-19 dhe dy shtretër të kujdesit intensiv.

Selaniku ka qenë qyteti më i prekur në Greqi nga pandemia dhe zyrtarët mjekësorë të premten autorizuan dy klinika private për të trajtuar pacientët me COVID-19.

“Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë”, tha Panagiotis Touchtidis, drejtuesi i një spitali në Selanik, ndërsa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin rregullat e distancimit social dhe të mbajnë maska gjatë gjithë kohës.

“Disa persona akoma mendojnë se është grip. Por gripi nuk ka vrarë asnjëherë 110 persona në ditë, veçanërisht para periudhës së dimrit. Fatkeqësisht, në rast se qytetarët nuk tregohen të kujdesshëm do të arrijmë një pikë ku nuk do të mund të intubojmë më pacientët sepse nuk do të kemi më respiratorë në dispozician”, tha Dr. Touchtidis.

Greqia ka regjistruar një rritje të numrit të viktimave, ku vetëm gjatë fundjavës në vend u shënuan mbi 200 viktima.

Të Fundit