Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi po mbajnë aktualisht një konferencë për shtyp ku pritet të flitet për arsimin nën situatën me prirje shqetësuese të pandemisë.
Gjatë fjalës së tij kryeminisri Rama tha se kishte hasur në zëra që kërkonin mbylljen e shkollave. Ai theksoi se masat kundër përhapjes së infeksionit të COVID-19 nuk ndërmerren si nismë personale apo qeveritare, por pas udhëzimit të ekspertëve.
Kryeministri këmbënguli teksa tha se shkollat nuk do të mbyllen pasi nuk ka asnjë të dhënë që fëmijët dhe adoleshentët të jenë grupe të rrezikuara sikurse grupmoshat e tjera të popullatës. Rama shtoi se pavarësisht këtij fakti shkollat kanë qenë nën vëmendjen e autoriteteve për të garantuar sigurinë shëndetësore.
“Vendimi për të hapur shkollat nuk ishte i lehtë, por ai u shoqërua me diskutime dhe konsultime me ekspertë të huaj dhe shqiptarë, u zhvillua gjithashtu një sondazh me 120 mësues nxënës dhe pridnër, nga të cilët 86% ishin pro hapjes së shkollave ndërsa u bë një analizë e imtësishme e situatës dhe kapaciteteve çka nxori si përfundim rihapjen e shkollave me disa skenarë,” – u shpreh ministrja Kushi duke siguruar se për të garantuar vijueshmërinë e procesit është vepruar me një listë mësuesish në pritje për të zëvendësuar rastet ku ka pasur infektime mes mësuesve.
Ministrja Kushi rreshtoi me vlerësime një sërë arritjesh në arsim ndërsa shtoi se për vitin 2021 mësuesit do të përfitojnë rritje me 15% të pagës, një rritje, që sikurse u shpreh ajo “është në vijim të rritjeve të tjera të vitit 2019 dhe 2017”.
Ajo u ndal të krahasonte shifrat e pagave të vitit 2013 (46,137 lekë) dhe të vitit 2020 (57,451 lekë).
Kushi përmendi si arritje shtimin e përfituesve të teksteve falas nga 112,400 në vitin 2013 në 250 mijë vitin aktual shkollor. Shifra të tjera që ajo përmendi ishte numri i mësuesve, ndihmës-mësuesve dhe punonjësve social në shkolla.
Ministrja tha se në tre qarqe të vendit, si Tiranë, Durrës dhe Lezhë pritet të rindërtohen 155 shkolla sipas programit të rindërtimit nga dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ajo u shpreh se deri më 26 nëntor pritet të përfundojnë 12 shkolla dhe deri në muajin dhjetor parashikohen si total 28 shkolla të jenë të përfunduara.
Kushi kujtoi paktin për Universitetin, i marrë përsipër nga qeveria pas protestave të studentëve për investime, kushte më të mira, vlerësim më të drejtë dhe praktika punësimi. Ajo u shpreh se pavarësisht situatës që po kalon vendi, qeveria do ta vijojë angazhimin për respektimin e “paktit”.