Ftesa e Ramës për bashkëpunim, Basha: Djallëzi, kërkon të na mbyllë gojën

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kandidat për kryetar i selisë blu, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me demokratët e Kamzës.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha ndër të tjera se PD nuk është dorëzuar por është rritur numerikisht, politikisht dhe moralisht pas zgjedhjeve të 25 prillit, pasi sipas Bashës PD do të çojë deri në fund misionin që ka ndaj shqiptarëve.

“Shkaku se pse masakra e 25 prillit jo vetëm që nuk na përgjysmoi por na rriti numerikisht, politikisht dhe moralisht dhe na ka bërë më të gatshëm dhe më të aftë për tu bërë gati për ta çuar deri në fund misionin që kemi marrë para shqiptarëve. Sepse rruga e kundërt sot do të ishte rruga e barazimit me të dhe në fakt ky është një nga dy hilet që ai po përdor”, tha Basha.

Më tej Basha tha se ftesa e Ramës për bashkëpunim është djallëzi, duke nënvizuar se kreu i qeverisë pasi ka vjedhur shpresën e shqiptarëve kërkon t’i “mbyllë gojën” PD.

“Djallëzia e parë është të na barazojë dhe si mund të na barazojë, duke na shtrirë dorën e bashkëpunimit pa kushte. Pra, pasi ka vjedhur shpresën e shqiptarëve për ndryshim, pasi ka tjetërsuar votën e tyre, të na bëjë pjesë të vjedhjes, pra, të na mbylle gojën e të na ndalë misionin që është vetëm i yni dhe që vetëm ne kemi këllqet për ta çuar deri në fund. Dy gjëra t’i themi qartas sa i përket qëndrimit tim, sot si kryetar i Partisë Demokratike dhe nesër me besimin tuaj për të vazhduar betejën: një, rezultati i 25 prillit, tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet. Dhe dy, nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat, ka betejë me regjimin deri në rrëzimin e regjimit dhe deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend me demokraci dhe me zgjedhje normale.
Ndaj tani i gjendur përballë këtij realiteti ai po përpiqet dhe do vazhdojë të përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi, të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin. Kjo që po bëjmë tani është një nga vlerat që na distancon me çdo parti tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan”, tha Basha.

Të Fundit