Forcës Ajrore i shtohen 11 pilotë të rinj, Peleshi: Do të krijojmë flotën ajrore me helikopterët më të mirë

11 pilotë të rinj do t’i shtohen Forcës Ajrore, pas përfundimit të kursit të përgatitjes së pilotëve ushtarakë helikopteri. I pranishëm në ceremoninë e diplomimit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se kjo është një dëshmi e rritjes dhe fuqizimit të Forcës tonë Ajrore pjesë e FA të Republikës së Shqipërisë.

“Kemi sfida të mëdha përpara veçanërisht në FA, si në drejtim të infrastrukturës, por dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore. FA është duke realizuar disa projekte historike. Baza e parë taktike ajrore e NATO-s, baza e Kuçovës është tani në ndërtim e sipër dhe ky është një zhvillim historik. Në komponentin e pasurimit të teknikës ajrore, përsëri jemi në momente historike, sepse duke filluar nga viti që vjen ne do të nisim ndërtimin e flotës ajrore me helikopterët Blackhawk. Dy helikopterët e parë do të vijnë vitin që vjen dhe më pas ky numër do të shtohet drejt konsolidimit dhe krijimit të një flote të vërtetë ajrore me helikopterët më të mirë në botë. Ky është një bashkëpunim i suksesshëm me partnerin tonë më strategjik dhe special, SHBA dhe gjej rastin t’i falënderoj”, tha Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes tha se disa pilotë janë trajnuar tashmë në SHBA për helikopterët Blackhawk, trajnim të cilin do ta kryejnë edhe trupa e pilotëve të sapodiplomuar.

Peleshi shprehu falenderimet për vendet aleate të NATO-s që kanë kontribuuar në rritjen e FA.

“Ne jemi pjesë e së tërës, jemi pjesë e një aleance të fuqishme, e cila sot ka shumë sfida të shtuara përsa i përket skenës dhe sigurisë së mbrojtjes që kanë ndryshuar pas pushtimit dhe agresionit Rus në Ukrainë. Kemi shumë detyra dhe objektiva përpara ndaj unë uroj suksese të përbashkëta edhe arritje sa më të mira në këto sfida, ju uroj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në karrierën që ju pret”, u shpreh ministri.

Mes pilotëve të rinj janë 10 djem dhe një vajzë, Armela Murati.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe Komandanti i Forcës Ajrore Gjeneral brigade Ylli Pulaj, atashe të vendeve aleate dhe partnere të NATO-s si dhe ushtarakë.

Të Fundit