Bleu dyqanin mbi 100 mijë euro, ndërtuesja Hoxholli i dhunon pronën e mallin 1 nëntor 2018

Bujar Nallbani denoncoi në emisionin “Stop” ndërtuesen Vjollca Hoxholli. Në vitin 2015, ai bleu një dyqan me sipërfaqje 135 metra katrorë, për më shumë se 100 mijë euro nga ortaku i Hoxhollit, Ëngjëll Bengasi, i kompanisë “Beu Constraction”. Por Bengasi u arrestua për mashtrim dhe këtu nisën problemet edhe për Bujar Nallbanin.

“I kam likujduar të gjitha. Ngaqë ai nuk po mbaronte punë, i thashë që do të vej qepenat e mia në këtë dyqan dhe tek objektet e mia dhe do ta ndërtoj me forcat e mia, sepse e shoh që ju nuk bëni dot punë. Përveçse nuk është hapur, unë kam materialet e mia hidrosanitare dhe elektroshtëpiake, të cilat i mbaj aty sepse ka roje e punëtorë dhe nuk më ka trazuar njeri”, tregoi denoncuesi.

Ai u largua për vetëm 3 ditë dhe kur u kthye u përball me diçka të çuditshme. Ndërtuesja Hoxholli i hoqi qepenat e dyqanit dhe zhduku mallin me vlerë 10 mijë euro, duke pretenduar se ishte dyqani i saj, të cilin ia kishte shitur dikujt tjetër.

“Po me ç’të drejtë kjo Vjollca, e cila nuk ka marrë pjesë fare në ndërtimin e kompleksit numër 5, vjen e thotë që ia ka shitur dikujt tjetër? Dhe kur ia kishte shitur një tjetri do kishte dalë, se unë kam 2 vjet e gjysmë që e kam vënë këtë qepen”, shtoi i shqetësuar Nallbani, i cili u detyrua të njoftojë forcat e komisariatit numër 6 për zgjidhjen e problemit të tij.

Gjatë bisedës me një efektiv policie, ky fundit i tha Bujar Nallbanit se forca e tyre është e kufizuar, pasi Vjollca Hoxholli ka arritur të mbyllë çështjet në prokurori e polici.

Polici Komisaritati 6 – Ka shkuar në prokurori çështja.

Bujar Nallbani – Kjo, duhet ta kishit marrë, ta arrestonit që atë ditë, o vëlla! Hoqi qepenat, hoqi derën e shtëpisë. A e kupton, çfarë bëri?

Polici Komisaritati 6 – E di, o shoku, e di. Vetëgjyqësi! Unë për vetëgjyqësi e kam referuar, se unë ia çova Krimit Ekonomik dhe Krimi Ekonomik Tiranë tha: Ne s’kemi kompetencë për këtë rast se është vetëgjyqësi edhe e ka marrë prokuroria çështjen…

Bujar Nallbani – Prokuroria… ajo ka njerëz, o vëlla, e marrin ëëë…

Polici Komisariati 6 – Se në polici, kur gjen miq në prokurori ajo, në polici kujton se nuk gjen ajo? Është super mashtruese ajo…

Bujar Nallbani – Super mashtruese, ju e dini o, ju e bëtë detyrën tuaj bravo ju qoftë! Patrulla erdhi në kohë rekord. Ti more kallëzimin në kohë rekord…

Polici Komisariati 6 – Drejtësia këto probleme ka. Kupton ti? Edhe Kryeministri për këto flet. Ideja është këtu shoku: nuk ia hedh dot sepse e kam bërë edhe… bile e di kush është. Unë të jap një mendim, të fillosh ta bësh mediatike.

Bujar Nallbani – Mediatike do e bëj unë se aty po vete kjo punë.

Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se në redaksinë e tyre kanë mbërritur shumë denoncime për ndërtuesen Vjollca Hoxholli.

Bujar Nallbani mundi të komunikojë nëpërmjet një ndërtuesi tjetër me Hoxhollin, e cila sipas tij, po fshihet. Kjo e fundit vijoi të pretendonte se prona ishte e saj dhe se ai nuk kishte të drejtë të vendoste qepena në “shtëpinë e saj”, pavarësisht faktit që Nallbani ka lidhur kontratë sipërmarrjeje për dyqanin me “Beu Construction”.

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Vjollca e para nuk heq dhe nuk ve qepena… Qepenin e kam hequr unë.

Bujar Nallbani – Po mirë, me ç’të drejtë se unë kam mall brenda?

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – E drejta është që është objekti im, nuk është objekti i Ëngjëllit.

Bujar Nallbani – Si qenka kjo punë? Në mungesën time u bëka gjithçka?

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Në mungesën tënde se nuk është e jotja, punë e madhe ti…

Bujar Nallbani – Ou… Po ti nuk pyetke kështu?

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Si mund të vesh ti qepen tek shtëpia ime?

Bujar Nallbani – Moj nuk kam ndërruar qepenë unë. Unë kam vendosur qepenë kur dera ishte bosh…

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Nuk duhet ta kishe vendosur qepenin pa më pyetur mua!

Bujar Nallbani – Seksionin 5, që kam marrë unë, e ka ndërtuar ky dhe jo ti.

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Kush?

Bujar Nallbani – Këto janë deklarimet e inxhinierit, që ka thënë unë kam seksionin 4 dhe 6, po inxhinieri është kompetenti.

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Një minutë! Inxhinieri zbaton 4 dhe 6. Kompetenti jam unë aty. Inxhinieri ikën fishek! O ti, e ka firmosur një personi tjetër në 2013 ai Engjëlli.

Bujar Nallbani – O zonjë! Unë jam në gjykim për këtë, të kam hedhur dhe ty në gjykim dhe të gjithë pavarësisht se ti nuk vjen!

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Vij, përgjigjem para prokurorisë, pranë gjykatës…

Bujar Nallbani – Moj, derën pse ma ke hapur? Më vjen keq tani! Unë synoj tek malli im. Ta lija me gjithë qejf, ta hiqja unë, të isha unë prezent se kam mall.

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Është dera ime. Mallin, që ke brenda ta jap unë!

Bujar Nallbani – Po jemi në proces. Si mund të ma hapësh derën mua ti?

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Nuk kam asnjë lloj procesi unë me ty…

Bujar Nallbani – Po ke moj se kam unë përpara letrat këtu… si?

Ndërtuesja Vjollca Hoxholli – Po nuk kam, mo! Më hap procesin dhe flasim!

Bujar Nallbani komunikoi gjithashtu me inxhinierin e Vjollca Hoxhollit, i cili hoqi përgjegjësinë nga vetja për sektorin numër 5, duke kërkuar të flejë rehat dhe pa probleme.

Bujar Nallbani – 5-ën e ka ndërtuar Ëngjëlli, mo vëlla!

Inxhinieri – E di!

Bujar Nallbani-C’punë ka kjo?

Inxhinieri – O Bujar! Janë përgjegjësi që unë nuk kam pse t’i diskutoj! Dua te fle rehat në fund të ditës! Më kupto!

Bujar Nallbani – Po je inxhinieri, mo vëlla! Je inxhinieri!

Inxhinieri – Jam inxhinieri i 4-ë dhe i 6-ës. Mbaj përgjegjësi për këto të dyja.

Bujar Nallbani – Po ç’deshi kjo tek 5-a, që e ka ndërtuar Ëngjëll Bengasi?

Inxhinieri- Epo tani, çfarë të të them unë o vëlla?! Ajo…

“Unë jam i mendimit që këtu kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Çfarë kanë më shumë bandat që janë në burg dhe që vuajnë dënimin dhe kjo është e lirë bashkë me bandidët e saj? Mua më bëhet presion nga rrugaçët e saj”, theksoi denoncuesi i shqetësuar, duke bërë apel për shqyrtimin e çështjes së Vjollca Haxhollit, që po abuzon me qytetarët.

Të Fundit