Basha takime me fermerët e Kukësit: Mëkat mënyra sesi është trajtuar zona, qeveria s’është në anën tuaj – Stop
Lajme, Të Gjitha

Basha takime me fermerët e Kukësit: Mëkat mënyra sesi është trajtuar zona, qeveria s’është në anën tuaj

Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi takime në Novosej dhe Shishtavec të Kukësit, dy zonat të njohura për kultivimin e patates.

Gjatë bisedave, fermerët u shprehën para Bashës se jetojnë me shumë vështirësi. Sipas tyre rinia ka ikur e gjitha në emigracion, ndërsa prodhimet e patates janë detyruar t’i groposin se s’ka treg shitje mjaftueshëm për prodhimet e tyre.

“Këto vitet e fundit këtu, po të vësh re edhe njerëzit që janë këtu të pranishëm është fenomen mjaft i madh i emigracionit. Duke qenë se njerëzit janë tërë kohën nuk kanë parë asnjë dritë jeshile, pjesa më e madhe kanë emigruar. Këtu pothuajse kanë ngelur më shumë pleq edhe plaka. Nuk e di, domethënë ne kemi qenë të varfër gjithmonë këtu po kemi qenë me shpresë, tani vazhdojmë të jemi të varfër por fatkeqësisht nuk kemi as shpresë”, u shpreh një prej banorëve në fshatin Novosej.

“Vjet kisha unë 150 kuintal të mëdhaja, kualitet i parë për treg dhe arritëm mos të shes asnjë, të gjitha u kalbën në gropë. Mu kalbën të gjitha. 150 kuintal po ishte njëfarë gjobe e madhe për ne, se ishte buka e fëmijëve, e gjitha buka e familjes kishte punuar për atë”, tha një tjetër fermer.

Ndërkohë, Basha e quajti mëkat mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti duke u braktisur plotësisht.

“Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë. Është mëkat i dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate.

Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse? Sepse ne nuk jemi në krahun tuaj, sepse qeveria nuk është në krahun tuaj. Nesër ju garantoj që do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë por me subvencione, me mbështetje direkte për fermerët. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar bujqësinë, për të ndalur emigracionin, se dhe t’ju iki gjithë rinia në emigracion, ndërkohë që ka pasuri të jashtëzakonshme vendi, ka mundësi të jashtëzakonshme”,  iu tha Basha banorëve të Novosej.

Pas Novosej, Basha u ndal edhe në fshatin në Shishtavec, ku u tha banorëve se nuk premton mrekullira, por i garantoi ata se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të tyre për t’i ndihmuar dhe jo për t’i zhvatur.

“Ka ardhur koha të kemi një qeveri në krahun tuaj, t’iu mbështes, t’iu përkrah, të bëjë gjithçka për t’ua bërë më të lehtë jetën, jo më të vështirë. Kjo do të jetë qeveria që do të vijë. Unë ju jap fjalën që në çdo aspekt do kemi sy për të parë, vesh për të dëgjuar problemet tuaja dhe së bashku do bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur”,  u shpreh Basha gjatë takimit me banorët e Shishtavecit.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *