“Babanë e lanë në karrige, s’e prekte njeri me dorë”, QSUT hedh poshtë akuzat: Ja si qëndron e vërteta

Qendra Spitalore “Nënë Tereza’ ka reaguar pas denoncimit publik të dy motrave për vdekjen e babait të tyre të moshuar në spitalin COVID1.

Sipas motrave, mbesat e ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli, babait të tyre, Rifat Lalo, nuk iu dha shërbim në spitalin Infektiv, ndërsa deklaruan se ai qëndroi në karrige për disa orë dhe më pas ndërroi jetë.

Ndërkohë, në reagimin e saj, QSUT ka mohuar akuzat, ndërsa ka sqaruar itinerarin që është ndjekur për të ndjerin. Sipas spitalit, pacienti kishte mbërritur në Infektiv me 70% të pulmonit të prekur, si dhe i ishte bërë skaner. Madje QSUT pohon se dy motrat kanë pasur debat me mjeken roje, Migena Qato, duke i vështirësuar asaj punën.

REAGIMI I QSUT
Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:
Pacienti me inicialet R.L,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)

Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.
I është bërë skaneri në orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).
Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër Europian për trajtim.

Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në Spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.
Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.
Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.
QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.
Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre.
Gjithashtu garantojmë që stafi ynë mjeksor do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!

Të Fundit