Aksi nacional Tiranë-Ndroq-Plepa, rruga, ku nuk vihet dorë prej dekadash. 29 maj 2018

Emisioni “Stop”, këtë të martë trajtoi gjendjen skandaloze të aksit kombëtar Tiranë-Plepa, të njohur ndryshe si Rruga e Ndroqit. Ky segment rrugor është i gjatë vetëm 28 kilometra, por që për shkak amortizmit përshkohet për rreth 35 minuta.

Një qytetar u shpreh: “Rruga e Ndroqit ka gjithë këto vite dhe nuk bëhet. As nuk ka për t’u bërë ndonjëherë. Na ka humbur shpresa fare”!

Ndërsa një tjetër tha se prej 40 vitesh nuk është shtruar asnjë shtresë asfalti sepse firma e mirëmbajtjes ekziston, por nuk figuron.

Drejtuesit e automjeteve ankohen se për shkak të amortizimit të rrugës detyrohen t’i çojnë shpesh makinat në servis dhe kjo ka kosto.

“Taksat e rrugës i paguajmë. Ditën e hënë i kam bërë makinës 350 mijë lekë shërbime. Ditën e martë u këput shpatulla se është rruga shumë e amortizuar”, tregoi një drejtues automjeti.

Në këtë rrugë nacionale vetëm vitin e fundit kanë ndodhur 5 aksidente me pasojë vdekjen, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe sinjalistikës, si dhe amortizimit të rrugës.

Autoriteti Rrugor i Shqipërisë, duke marrë shkas nga ankesat e banorëve dhe drejtuesve të automjeteve, deklaroi në vitin 2015 se projekti i rehabilitimit të plotë të rrugës ishte gati, por mungonin fondet me vlerën prej 5.2 miliardë Lekësh të reja.

Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve në ARRSH, Spartak Tarkaj tha se ende nuk janë siguruar fondet për t’u zbatuar projekti.

“Ne si ARRSH e kemi parashikuar për ta futur në investim për vitin 2018. Kemi dhe një shprehje interesi me partneritet publik-privat. Mund të ketë një zgjidhje të përhershme”, u shpreh drejtori Tarkaj.

Banorëve të zonës i duhet të presin sërish, me shpresën se shqetësimi i tyre do të zgjidhet së shpejti.

Të Fundit