4 herë mbi mesataren, gjyqtarët e prokurorët e Shqipërisë më të paguarit në Europë

Gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri janë më të paguarit në Europë në raport me rrogën mesatare të vendit.

Të dhënat e një raporti të Këshillit të Europës tregojnë se një prokuror dhe gjyqtar në Shqipëri paguhet 4.1 herë më shumë se rroga mesatare e vendit, shkruan Euronews Albania.

Mes 47 vendeve anëtare të Këshillit, diferenca është dy herë më e lartë, ndërsa ka vende si Irlanda ku prokurorët dhe gjyqtarët paguhen më pak se rroga mesatare.

Shqipëria ka shpenzuar më shumë se 41 milionë euro vetëm për reformën në drejtësi deri në vitin 2020.

Shpenzimet janë rritur edhe pas miratimit të skemës së re për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vitin 2019, që pothuajse dyfishoi pagat për ta.

Megjithatë, kur vjen puna te performanca drejtësia në Shqipëri klasifikohet në disa tregues poshtë vendeve si Moldavia dhe Ukraina. Raporti i Këshillit të Europës tregon se koha mesatare që i duhet drejtësisë shqiptare për të zgjidhur një çështje administrative shkon nga 5 deri në 12 vite.

Në Moldavi, për 2020 kjo kohë ishte 51 ditë, në Maqedoninë e Veriut 304 ditë dhe në Greqi 1107 ditë.

Për Shqipërinë ka ndikuar edhe procesi i vettingut në zvarritjen e proceseve për shkak të mungesës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Raporti thotë se Shqipëria ka 8.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa mesatarja e vendeve të Këshillit të Europës është mbi 43 gjyqtarë.

Të Fundit