15 milionë euro nga BERZH për përballjen me COVID/ Manastirliu: Do të forcojë kapacitetet e sistemit shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në seancën e sotme në Kuvend, se marrëveshja me Bankën Europiane për Zhvillim dhe Ndërtim do të jetë një mbështetje direkte për fuqizimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në reagimin ndaj emergjencës Covid19.

“Ky financim që ne sot kalojmë, marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të fuqizojë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në reagimin e emergjencës Covid-19. Kjo marrëveshje parashikon që në vlerën 15 milion euro, të përdoret për 3 komponentë kyç në reagimin ndaj emergjencës Covid.

Së pari në parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid19 dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike, në përputhje me strategjinë strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit. Së dyti, rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me Covid 19 dhe sëmundjet që lidhen me të, duke filluar nga rekrutimi I stafeve të reja, sigurimin e autoambulancave të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve spitalore. Së treti përfshin edhe masat për komunikimin dhe distancimin fizik si dhe duke përmirësuar nëpërmjet teknologjisë së informacionit edhe konsultat online”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës saj në parlament, Manastirliu theksoi se buxheti i vitit 2021 për shëndetësinë do të rritet me 23%, duke mundësuar fuqizimin e kapaciteteve për përballimin e situatës Covid19 por edhe rritjen historike të pagave me 40%.

“Buxheti për vitin 2021 për sektorin e shëndetësisë rritet me 23%, përfshirë këtu angazhimet që qeveria shqiptare ka marrë në funksion të mbështetjes së gjithë personelit shëndetësor me rritjen 40% të pagave për mjekët, infermierët, laborantët, farmacistët që punojnë në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, të cilët meritojnë trajtimin dhe mbështetjen maksimale.

Përsa i përket buxhetit të shëndetësisë për vitin 2021, kemi rritur edhe mbështetjen direkte për nevojat që paraqiten në raport me parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, me reagimin dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor dhe gjithashtu edhe me mbështetjen e stafeve tona me bonuset special për ata që janë në vijën e parë të luftës”, tha Manastirliu.

Të Fundit