“Zjarrfikëset e Lushnjes nuk kishin ujë, ju raftë plasja”, banorja për flakët në qendrën tregtare: Prisnin ato të Fierit…

Zjarri në qendrën tregtare të Lushnjes është shuar, por banorët nuk dinë akoma se çfarë dëmi është shkaktuar në banesat e tyre.

Në një prononcim për gazetarët, njëra nga banoret shprehet e revoltuar duke thënë se zjarrfikëset e Lushnjes nuk kishin ujë, pasi në të kundërt situata nuk do të merrte të tilla përmasa.

Ajo shprehet se banorët akoma nuk janë lejuar të futen në banesat e tyre për të parë se çfarë dëmesh ka lënë pas zjarri që përfshiu ditën e djeshme qendrën tregtare në Lushnje.

Banorja: Nuk na lënë të futemi brenda. Flaka mori këtej. Mezi dolëm dje ne. Erdhi policia, zjarrfikësja e Lushnjes që ju raftë plasja nuk kishin ujë, prisnin zjarrfikëset e Fierit sepse të kishin pasur ujë, nuk do të merrte zjarri këto përmasa.

Pyetje: Ju ishit në banesë kur ra zjarri?

Banorja: Po në banesë kemi qenë. Kemi dalë nëpër shkallë se na u fikën dhe dritat. Kemi nxjerrë dhe pleqtë në kurriz, çuni im.

Pyetje: Si e kuptuat që ra zjarri?

Banorja: U kuptua nga kulla jonë matanë. Doli çuni në ballkon dhe tha “po merr flakë pallati”. I thashë unë “siç u dogj njëherë nuk ka”. Zbret poshtë e vjen prap lart e thotë “dil se mori flakë”. Zbathur unë nëpër shkallë, morëm çupën e nusen dhe nuk dimë se çfarë është bërë. Nuk e dimë se çfarë do të bëhet me shtëpinë dhe as se çfarë do jetë bërë aty brenda. Aty nuk kishte as sistem alarmi, nuk dëgjova gjë.

Kujtojmë se gjithçka nisi rreth orës 14:40, në qendrën tregtare që ndodhet mes dy godinave me apartamente banimi. Flakët përfshinë fillimisht katin e dytë dhe të tretë. Është ende e paqartë se çfarë i shkaktoi flakët të cilat përparuan me shpejtësi nëpërmjet hapësirave të ajrimit. Pas orësh betejë me flakët, zjarri u shua rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm.

Të Fundit