Zhurmë në rrjet për orën e Macron-it, pse e hoqi gjatë intervistës për skemën e pensioneve

Të mërkurën e kaluar në orën 13:00, presidenti francez Emmanuel Macron u shfaq në televizionet franceze Tf1 dhe France 2, për një intervistë në të cilën ai synonte të shpjegonte pse – pavarësisht grevave dhe protestave prej muajsh – reforma e pensioneve është e nevojshme dhe pse ai nuk tërhiqet prej saj.

Një detaj u ran ë sy menjëherë spektatorëve, përfshirë dy deputetë të opozitës: në fillim të intervistës, Macron mbante një orë në dorë. Në fund të intervistës ora nuk ishte më. Ku shkoi? Një anëtar i së majtës radikale, Clémence Guetté, shkroi në Tuiter: “Kur bëhet fjalë për të folur për ata që paguhen me pagë minimale (1353 euro) të cilët nuk e kanë pasur kurrë mundësinë për një blerje të tillë, Macron heq në mënyrë diskrete orën e tij luksoze, poshtë tavolinës”.

Një tjetër deputet, këtë herë nga e djathta ekstreme, Gilbert Collard, pyet veten “por pse vallë nuk donte ta tregonte orën e tij?”. Sekuenca e shoqëruar me thashethemet se është një orë luksoze përhapet shumë shpejt në rrjetet sociale. Në një prej llogarive thuhet se “presidenti i shumë të pasurve heq në mënyrë diskrete orën 80 mijë euro të paguar me pensionet e tua”. Një tjetër saktëson se «Macron mban një F.P. me çmim 80 mijë euro, mbase i thanë që nuk ëshët gjëja më e mirë të tregojë një orë 80 mijë euro para neve të varfërve”.

Në realitet, ora është modeli BRV192 i markës franceze Bell & Ross me vlerë rreth 2400 euro, prandaj Elysée flet për “lajme të rreme”. “Ndryshe nga sa lexojmë në mediat sociale, presidenti nuk e heq orën për ta fshehur, por sepse sapo e kishte përplasur atë në tryezë duke bërë një zhurmë të bezdisshme – shpjegoi një burim nga Elysée për Libération –. Dëgjohet qartë në videon e plotë, pak sekonda para nisjes së pjesës së shpërndarë në rrjetet sociale”.

Për sa i përket vlerës së orës, e vetmja e veçantë në krahasim me versionin në treg – që kushton 2400 euro dhe jo 80 mijë – është fakti që ajo është e personalizuar me simbolet e presidencës së republikës. “Dhe shtëpia franceze Bell & Ross ka partneritet me shumë institucione, si ushtria dhe grupi i sigurisë i Presidencës së Republikës”. Një orë që Macron zakonisht nuk e fsheh dhe që duket qartë në imazhet e fotografit zyrtar Soazig de La Moissonière, për shembull me rastin e vizitës shtetërore në SHBA apo udhëtimit në Katar gjatë Kupës së Botës.

Të Fundit