Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimeve me 3 muaj për Alda Klosin. Ajo u arrestua me akuzën e “pastrimit të parave”, “mosdeklarimit të pasurisë” dhe “deklarim të rremë”, bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga sanitarja Rozeta Dobi.
Kjo e fundit pretendon se Klosi mbante vlera të larta monetare në banesë që prej vitit 2018 dhe se e gjithë shumë monetare prej rreth 500 mijë Eurosh, e gjetur në banesën e saj pas arrestimit për vjedhje, ishin të Alda Klosit.
Pas vendimit të gjykatës, avokati i Alda Klosit, Arbër Hoxhaj në një prononcim për gazetarët është shprehur se Alda Klosi po mbahet në burg pa prova dhe se vetëm 138 mijë Eurot e gjetura në shtëpinë e sanitares janë të Alda Klosit, pjesa tjetër ka shtuar ai, nuk kanë qenë të sajat.
Avokati i Alda Klosit: Është bërë kërkesë-vendimmarja për të kryer një akt ekpertimi kombëtar. Kanë kaluar më shumë se 4 muaj dhe akti i ekspertimit nuk është bërë ende gati. Duhet të ketë një dyshim të arsyeshëm në prova për të qëndruar në masën e sigurimit “arrest me burg”. Vullneti i Alda Klosit është që duhet rrëzuar vullneti i prokurorisë. Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim të arsyeshëm. Nuk ka një hetim konkret për gjetjen e parave në shtëpinë e Rozeta Dobit. Alda Klosi është e divorcuar dhe djali i saj ka lënë edhe marrëdhënien me shkollën sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit. Ne jemi në kushtet që masa e sigurimit qëndron arrest me burg dhe gjykata ka zgjatur dhe 3 muaj afatin e burgimit. 138 mijë Eurot që kanë qenë në pronësi të Alda Klosit janë të sajat dhe për këtë është bërë kallëzimi. Pjesa tjetër e origjinës i takojnë Prokurorisë. E çuditshme që në dosjen hetimore ka 3 procesverbale të 3 shtetasve të ndryshëm ku Rozeta Dobi ka punuar dhe është e çudishme që paska vjedhur sendet me vlerë dhe nuk paska vjedhur paratë. Kanë frikë të dalin pronarët e ligjshëm të pronavëve të lekëve. Hera e parë në Republikën e Shqipërisë që më shumë i besohet një sanitareje e cila është kapur me presh në duar duke vjedhur dhe nuk besohet një drejtoreshe e Ministrisë së Financave. Prokuroria në habi të të gjithëve merr për bazë atë që thotë hajduti dhe jo atë që thotë drejtoresha.
I pyetur nëse Alda Klosi është pyetur në lidhje me inceneratorët, avokati i saj është shprehur se nuk është regjistruar asnjë procedim penal për të në lidhje me këtë çështje e madje ajo nuk është pyetur as si një person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit.
Avokati i Alda Klosit: Ndaj Alda Klosit nuk ka asnjë procedim dhe as që ka dijeni për veprën penale, gjithë këto të tjerat duhet parë nëse ka diçka të vërtetë apo jo. Nuk ka procedim për inceneratorët dhe as për shumën e parave.