Zbulohet laboratori i drogës, në pranga 2 punonjës të OSHEE dhe…(EMRAT)

Një tjetër rast për tentativë të kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga Policia e Sheteti.

Njoftohet se policia e Lushnjes ka zbuluar në fshatin Krutje brenda një ndërtese, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Në llogari të kësaj vepre një 40-vjeçar i identifikuar si Mario Çela është arrestuar si autor. Të arrestuar janë gjithashtu edhe dy punonjës të OSHEE, të identifikuar ai Mestan Zoto, 64 vjeç dhe Vilsi Liçi, 23 vjeç.

Ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, Ervin Rista, 45 vjeç, banues në Tiranë, Lirim Serdani, 54 vjeç dhe Igli Borova, 27 vjeç, banues në Fier.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra më parë në rrugë policore, nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Krutja”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Mario Çela, 40 vjeç, banues në Lushnje, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve Ervin Rista, 45 vjeç, banues në Tiranë, Lirim Serdani, 54 vjeç dhe Igli Borova, 27 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasit Mestan Zoto, 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe Vilsi Liçi, 23 vjeç, banues në fshatin Gorre.

Të dy këta shtetas, punonjës të kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike).

Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike.

Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. S., u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike.

Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.”– njofton policia.

Të Fundit