Dioksidi i karbonit dhe metani janë zbuluar në atmosferën e ekzoplanetit të titulluar K2-18 b, i cili është 8 herë më i madh se toka. Prania e këtyre elementëve në K2-19 b, e bën ekzoplanetin një botë potencialisht të jetueshme.
Zbulimi novator i NASA-s e përfshin K2-18 b në një klase unike të ekzoplaneteve të njohur si planetët “Hycean”, të cilët posedojnë atmosfera të pasura me hidrogjen dhe sipërfaqe të mbuluara me ujë, duke i bërë ata kandidatë për jetë.
Vëzhgimet u bënë të mundura falë teleskopit Hapësinor “Hubble” të NASA-s.
Këta ekzoplanetë, me përmasa midis Tokës dhe Neptunit, nuk gjenden në sistemin tonë diellor, duke i bërë karakteristikat e tyre një objekt debati aktiv midis shkencëtarëve.
Nikku Madhusudhan, një astronom në Universitetin e Kembrixhit dhe autori kryesor i studimit, tha: “Gjetjet tona nënvizojnë rëndësinë e konsiderimit të mjediseve të ndryshme ku mund të zhvillohet një botë tjetër”.
“Tradicionalisht, kërkimi i jetës në ekzoplanete është fokusuar kryesisht në planetë më të vegjël shkëmborë, por planetët më të mëdhenj të Hycean janë dukshëm më të favorizuar për zhvillimin e jetës”, tha ai.
Prania e sasisë së madhe të metanit dhe dioksidit të karbonit, shoqëruar me mungesën e amoniakut, sugjeron se K2-18 b përmban një atmosferë të pasur me hidrogjen mbi një oqean të mundshëm uji, thanë shkencëtarët.
Astronomët thanë se vëzhgimet fillestare të teleskopit lanë të kuptohet gjithashtu për praninë e sulfidit dimetil (DMS), një molekulë e lidhur kryesisht me jetën mikrobike si fitoplanktoni detar në Tokë, duke sugjeruar mundësinë e aktivitetit biologjik në K2-18 b.
Por zoti Madhusudhan vuri në dukje se “duhen më shumë vëzhgime për të përcaktuar nëse është në fakt DMS ajo që shkencëtarët kanë vërejtur”.