Është zbuluar në Maqedoninë e Veriut vendbanimi më i vjetër në Evropë, që i përket periudhës së Neolitit. Lajmi është bërë i ditur nga ish-kryeministri maqedonas, Ljubço Georgievski, sipas të cilit zbulimi i rrallë është bërë nga një grup ndërkombëtar arkeologësh.
“Para rreth 20 ditësh, universitetet gjermane njoftuan se një ekip ndërkombëtar arkeologësh, në të cilin marrin pjesë edhe grekë, gjë që është shumë interesante, përcaktoi se vendi – vendbanimi Vlaho afër Manastirit, është vendbanimi më i vjetër në Evropë, i periudhës së Neolitit. Ky informacion nuk është i disponueshëm në Maqedoni për 20 ditë. A e dini pse? Pas publikimit të kësaj, arkeologët serbë filluan një sulm se si mund të ketë diçka më të vjetër se Lepenski Vir”, ka thënë ish-kryeministri Georgievski.
Ai ka shtuar se aktualisht besohet se Lepenski Vir është vendbanimi më i vjetër në Evropë, ndërsa shpreh habinë që askush nuk po flet për faktin se sipas zbulimeve të reja vendbanimi më i vjetër është në Maqedoni.
Për këtë arsye, ish-kryeministri maqedonas i kërkon politikës vendase që të mos heshtë për këtë ngjarje të veçantë. Sipas tij, qeveria duhet të investojë për të ndërtuar një qendër turistike në vendbanimin më të vjetër të Evropës, që do të tërhiqte shumë turistë.