Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndodhet në Norvegji, ku po takohet me zyrtarët më të lartë shtetëror.
Gjatë konferencës për shtyp, presidenti e nisi bisedën duke komentuar ndeshjen e sotme me Kamerunin dhe më pas ka nisur të flasë për luftën në Ukrainë.
“Putini përdor atë që ka, të tjerët atë që kanë, të gjithë përdorin gjithçka, nuk ka dashuri në luftë. Kur shumë menduan se lufta kishte mbaruar dhe se Ukraina po fitonte, rusët filluan të luftojnë më mirë. Do të jetë një kohë shumë më e gjatë, dhe pres që dimri i ardhshëm, madje edhe tjetri, të jetë shumë më i vështirë se ky”, tha ai për konfliktin në Ukrainë.
“Duhet të kuptojmë se jemi në luftë dhe duhet të kuptojmë që kjo luftë nuk do të përfundojë shpejt, për mua nuk ka rëndësi se si do të përfundojë, përderisa ata japin një zgjidhje”, tha Vuçiç , duke analizuar situatën në Ukrainë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se i vjen keq që ka marrë vendimin që Serbia të braktisë minierat e litiumit dhe se për shkak të kësaj ai “ndihet si presidenti më budalla në botë”.
“Unë u vetëdeklarova presidenti më budalla në botë kur mora vendimin të heq dorë nga litiumi. Nuk e kuptoj fare pse protestuan para qeverisë. Do t’u drejtohem atyre. Dua t’i pyes nëse e kuptojnë këtë, ju po shkatërroni vendin tuaj”, shtoi ai.
Duke komentuar protestën e aktivistëve mjedisorë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë (kundër kërkimit të litiumit), Vuçiç tha se qeveria nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me litiumin, por se ai e ka bërë këtë.
“Nuk e kuptoj pse protestuan para qeverisë. Kur të protestojnë duhet të protestojnë para presidencës dhe unë do t’u drejtohem dhe do t’u them me mirësjellje se janë ata që po shkatërrojnë vendin. Çmimi i litiumit sot është 82,500 dollarë për ton dhe rezervat tona të litiumit kapin vlerën e 100 miliardë”, vuri në dukje ai, duke shtuar se qyteti i Loznicës do të përfitonte 5 miliardë euro nga minierat e litiumit, por se qytetarët besonin në teoritë e konspiracionit dhe se udhëheqësit e protestës “u shpërblyen nga fondacionet e huaja”.
Litiumi është një metal kryesor në industrinë e baterive, makinave elektrike, telefonave celularë, pajisjeve kompjuterike etj.