Rreth 34 për qind e shqiptarëve mbajnë euro cash. Përqindja e personave që preferojnë të mbajnë euro të gatshme shënoi rritje në vitin 2020 sipas vrojtimit që Banka Qendrore e Austrisë bëri vitin e kaluar në 10 vende të rajonit të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.
Preferenca për të mbajtur para të gatshme shënoi rritje në të gjitha vendet e rajonit, për shkak të frikës që nxiti pandemia. Por Shqipëria bashkë me Poloninë, Çekinë dhe Maqedoninë e Veriut shfaqën nivele të larta të popullatës që zgjedhin të mbajnë euro cash.
Rezultatet e vrojtimit treguan se në Shqipëri, gjatë 2019-2020, preferenca e të intervistuarve për të mbajtur euro cash shënoi rritje me 4 pikë përqindje në raport me periudhën 2017-2018.
Gjatë dy viteve të fundit të vrojtimit, numri i personave që mbajnë cash shënoi përqindjen më të lartë që nga vëzhgimi i parë i vitit 2017-2008 që bëri Banka Qendrore e Austrisë.
Në vrojtimin e fundit, sasitë cash të euros për person shënuan rritje. Një shqiptar mban mesatarisht 130 euro cash më 2019-2020, nga rreth 83 euro më 2017-2018.
Ekspertët që kanë bërë vrojtimin po shohin një prirje në rritje për mbajtjen e eurove cash në vendet e SECEE. Sipas tyre, kjo tendencë tregon mungesë të besimit në sistemin bankar (në veçanti një mungesë e perceptuar e sigurisë së depozitave) është një faktor kryesor në shpjegimin e preferencës së fortë të individëve për të mbajtur një pjesë të kursimeve në valutë të huaj jashtë bankave.
“Përvojat e krizave të kaluara bankare e përkeqësojnë këtë efekt. Për më tepër, kornizat e dobëta institucionale, p.sh. cilësia e dobët e zbatueshmërisë ligjore, si dhe një depërtim i ulët i bankave, përbëjnë faktorë të rëndësishëm që shpjegojnë preferencën e fortë për euro të gatshme” thuhet në rezultatet e vrojtimit.
Statistikat monetare tregojnë se edhe një pjesë e konsiderueshme e depozitave të familjeve në banka janë në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Banka Qendrore e Austrisë ushtron një Vrojtim në popullsinë mbi 15 vjeç në 10 vendet të e Europës Lindore dhe Juglindore si, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Polonia dhe Rumania dhe katër vende kandidatë për në BE, Shqipëri, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Anketa e euros kryhet rregullisht që nga viti 2007, me intervista të drejtpërdrejta me mbi 1000 persona për çdo vend. /Monitor