Një gjykatë greke ka lënë në burg 32-vjeçarin shqiptar që vrau me armë një 60-vjeçar në qytetin Kalyvia Thorikou në Greqi në Dhjetor 2020.
Gjatë seancës gjyqësore, shqiptari identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka rrëfyer se viktima 60-vjeçar të cilin e kishte komshi, i kishte bërë magji. Dhe sipas pretendimit të tij, vetëm duke vrarë 60-vjeçarin do të “lirohej” nga magjia që i kishte bërë.
32-vjeçari shqiptar grindej shpesh me viktimën dhe bashkëshorten e tij, pasi kjo e fundit ishte administratore e pallatit ku banonin. Pasi vrau 60-vjeçarin, shqiptari u arratis në Shqipëri së bashku me nënën e tij. Ai u gjet nga policia shqiptare dhe iu dorëzua autoriteteve greke disa ditë më parë.
Ndërkohë, avokatët e autorit kanë kërkuar që 32-vjeçarit shqiptar t’i bëhet ekspertizë nëse vuan nga probleme të shëndetit mendor.