Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha, SHÇBA nis hetimet për policinë e Lezhës

Drejtoria vendore e policisë së Lezhës është duke u hetuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme për vrasjen e efektivit të policisë, 44-vjeçarit Saimir Hoxha.

Verifikimet kanë nisur nga drejtoria rajonale Shkodër-Lezhë, të koordinuar dhe nga drejtoria e përgjithshme e SHÇBA-së. Institucioni që heton veprimet e policisë së shtetit, është përqendruar në dy drejtime, në hetim administrativ dhe penal.

Burimet bëjnë me dije se në drejtimin administrativ po verifikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur dhe manualet që duhet të ndjek Policia kur ndërmerr një aksion anti-kanabis, planin operacional për asgjësimin e lëndës narkotike. Inspektorët e SHÇBA-së kërkojnë përgjigje nga policia nëse ka patur urdhër shërbimi, për të kryer aksion kundër kanabisit në zonën ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë, në lidhje me hetimin penal, SHÇBA po verifikon në lidhje me mundësinë e një përplasjeje të mundshme verbale të efektivëve të policisë me Aldi Ramën, para se të ndodhte ngjarja. Gjithashtu me interes për hetimin është dhe sqarimi i faktit nëse ka patur tejkalim kompetencash në përdorimin e armëve të efektivëve, lëvizjet e tyre apo paralajmërimet. Po ashtu po verifikohet edhe fakti nëse nënkomisari Saimir Hoxha ishte ose jo në orar zyrtar të punës.

Në fokus të hetimit është edhe negocimi i RENEA-s me Aldi Ramën dhe nëse ka pasur thirrje me megafon për t’i kërkuar të dorëzohet. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së martës në hyrje të lagunës së Kune-Vainit.

21-vjeçari Aldi Rama u vetëvra gjatë ndjekjes nga policia, ndërsa në paraburgim ndodhen dy miqtë e tij, Armando Marku dhe Kristian Sherri. Ata pritet të njihet të premten në Gjykatën e Lezhës me masën e sigurisë, pasi akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi./Tv Klan

Të Fundit