Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Mexhit Picarin dhe vajzen e tij, Dhurata, Saliajn, ne lidhje me vrasjen e Kudret Saliajt.
Ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën ndodhi më 4 qershor 11:50 minuta në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur avokati i viktimës, Adriatik Cama, ndërsa çifti ishte në proces divorci.
Prokuroria ka ashpërsuar akuzën për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj 2 ose më shumë personave kjo sepse ka dyshime se babë e bijë bashkëpunuan për të vrarë Kudret Saliajn dhe këtë e mbështet në pamjet e kamerave të sigurisë.
Një ditë para ngjarjes, Mexhit Picari me avokatin dhe Kudret Saliaj me avokatin kanë shkuar në banesën e çiftit që Dhurata të merrte sendet e saj, por nuk ia kanë dhënë. Avokati pretendon se ka pasur kërcënime e fyerje.
Ish-bashkëshortja e viktimës nuk ka pranuar të kishte dijeni për krimin e kryer nga i ati i saj, teksa ka kërkuar mëshirë nga gjykata.
“Nuk e dija ç’do bënte babai. Nuk do e lejoja kurrë babain ta vriste Kudretin”, është shprehur Dhurata Saliaj para togave të zeza këtë të martë.
“Kërkoj mëshirë, kam 3 fëmijë për të rritur”, vijoi ajo, teksa në nisje të seancës gjyqësore, u shfaq me kokën ulur të cilën e fshihte pas supeve të babait, që të mos e fiksonin kamerat e mediave të pranishmë në sallë.
Gjithashtu, babai i saj, Mexhit Picari mësohet se ka kërkuar falje për krimin në gjyq, ndërsa e ka përjashtuar të bijën e tij, Dhuratën nga çdo përfshirje në këtë ngjarje.
“Pistoletën e kisha në brez, nuk e mora në çantën e vajzës. Kërkoj ndjesë për çfarë kam bërë, i kërkoj falje nipërve dhe mbesave, Dhurata nuk ka pasur dijeni”, mësohet se ka deklaruar autori kryesor i krimit.