Vrasja e Ilaria Sulës, hetuesit: Gjurmë gjaku në çdo dhomë, e pastruan disa persona

Mark Antony Samson dyshohet se e vrau Ilaria Sulën me thikë, duke e goditur disa herë dhe duke bërë që gjaku të derdhej në çdo dhomë. Njolla gjaku janë identifikuar në të gjithë murin e korridorit të banesës në via Homs 8 në Romë, në lagjen afrikane ku ndodhi krimi. Kështu del nga raportet e inspektimit të policisë mjeko-ligjore të parë nga agjencia LaPresse.

Lidhur me orarin, hetuesit supozojnë se vrasja ka ndodhur mbrëmjen e 25 marsit dhe jo mëngjesin e datës 26 siç deklaroi krimineli i rrëfyer. Trupi i studentes 22-vjeçare u gjet më vonë natën e 2 prillit në një shpat të malit Guadagnolo, në komunën Capranica Prenestina, shkruan TGCOM.

Policia mjeko-ligjore gjeti sasi të mëdha gjaku, duke përdorur pishtarë luminant, në dyshemenë e dushit dhe në lavamanët në banjë dhe kuzhinë. Gjurmë të tjera të dukshme gjaku ishin gjithashtu në shkopinjtë dhe dorezat e furçave të dyshemesë. Një tjetër gjurmë u izolua nga hetuesit në një kuti kartoni në majë të një dollapi, ndërsa një njollë e madhe gjaku ishte në dorezën e brendshme të derës së përparme të majtë të makinës së Samsonit. Gjurmë janë gjetur edhe në disa doreza lateksi.

Gjurmët e gjakut mbetën me gjithë pastrimin e plotë të vendit të ngjarjes që u bë më 26 mars, datë në të cilën u blenë produktet e pastrimit në një dyqan mallrash shtëpiake dhe detergjentesh. Në konfirmim të kësaj, policia sekuestroi një faturë të lëshuar nga një dyqan jo larg shtëpisë ku ndodhi femicidi. Sipas hetuesve, disa persona kanë ndërhyrë për të hequr gjakun.

Të Fundit