Vranë dhe groposën të atin në kasollen pranë shtëpisë, nis procesi gjyqësor ndaj tre fëmijëve të Pëllumb Metës

Ditën e sotme, (14 janar 2025) do të nisë procesi gjyqësor në ngarkim të Hygerta Metës, Hysen dhe Amarildo Metës, që akuzohen për vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta.

Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale për tre fëmijët e viktimës më 20 Dhjetor.

19-vjeçarja dhe vëllai i saj më i madh, Hyseni, akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim”, ndërsa Amarildo Meta për veprën penale “asgjësimi i kufomës”.

Ngjarja e rëndë, arsyet e së cilës mbeten ende mister, ndodhi më 10 shkurt, por u zbulua nga policia vetëm më 24 shkurt, disa ditë pasi djali i madh i viktimës, Hyseni, denoncoi zhdukjen e të atit.

Hygerta dhe Hysen Meta akuzohen se kanë vrarë të atin, ndërsa dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tyre Amarildon, më pas e groposën në sallën e bagëtive, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.

25-vjeçari Hysen Meta akuzoi të motrën, Hygertën, si autore të krimit duke u shprehur se ishte ajo që e qëlloi për vdekje të atin.
“Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai”, tha i riu gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më 26 Shkurt.

Ndërsa, gjatë dëshmisë së dhënë para togave të zeza, Hygerta Meta ka deklaruar se ajo është autore e krimit makabër.

Vrasja e Pëllumb Metës

Ngjarja horror ndodhi mesditën e 10 shkurtit të vitit 2024, por u zbulua vetëm 12 ditë më vonë, në datën 22 shkurt.

Hysen Meta denoncoi të atin të zhdukur më 13 shkurt, duke pretenduar në polici se kishin humbur kontaktet. Uniformat blu nisën hetimet dhe në datën 17 shkurt gjetën automjetin e viktimës në zonën e quajtur “Sektori Rinia”, duke u ngritur dyshimet se kishim të bënim me vrasje dhe jo me zhdukje.

Ndërkohë 12 ditë pas zhdukjes së 51-vjeçarit, trupi i tij u gjet i groposur në kasollen pranë banesës së familjes në Shënavlash të Durrësit. Hygerta Meta, në dëshminë e dhënë për policinë pranoi se kishte vrarë babain pasi ai donte ta fejonte pa dëshirë.

Por uniformat blu, njoftuan një ditë pas zbulimit të trupit se autor i vrasjes ishte djali i madh, Hysen Meta, i cili sipas tyre e kishte qëlluar Plumb Metën me 4 plumba.

Ky i fundit në deklaratën për policinë pranoi se kishte vrarë babain, version i cili u ndryshua gjatë dëshmisë para togave të zeza në Gjykatën e Durrësit, ku e mohoi të ishte përfshirë në krim.

Autorësinë e mori përsipër 19-vjeçarja, e cila tregoi edhe dinamikën nga momenti që kishte marrë vendimin për të vrarë të atin, deri në momentin që e qëlloi për vdekje.

Të Fundit