Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, doli në një tjetër konferencë për shtyp këtë të mërkurë, për të denoncuar atë që po ndodh me procesin zgjedhor në Greqi. Sipas saj, procesi në shtetin fqinj po manipulohet, pasi ka informacione se zarfet e votimit merren nga njerëz të paidentifikuar.
“Vazhdojnë të vijnë indicie, informacioni që në ato që quhen qendra të shërbimeve postare që zakonisht janë lokale të lojërave të fatit, njerëz të paidentifikuar, pa i kërkuar identifikimin e tyre marrin jo 1, por edhe 10, edhe 100 zarfe votimi dhe i kthejnë në këto lokale pa vendosur firmën e tyre dhe pa dorëzuar shenjën e identifikimit të tyre. Nëse një votë hidhet në një lokal të lojërave të fatit dhe në errësirë, pa identifikim dhe pa firmë të personit që i merr, nuk është një votë që mund të vlerësohet. Nuk jemi thjesht në kushtet e shkeljeve ligjore. Është shpërndarë në të gjitha lokalet e lojërave të fatit. Sigurisht që kjo e ka emrin manipulim të procesit zgjedhor në Greqi. Kjo ka bërë që ne për të disatën herë të reagojmë”, tha Topalli.
Ajo u shpreh se procesi atje ka kaluar jashtë kontrollit dhe kërkoi nga ndërkombëtarët, më saktësisht, OSBE-ODIHR që të kenë në folur çfarë po ndodh atje.
“Sot, edhe më ndryshe nga rastet e tjera unë i kërkoj ODIHR dhe OSBE të kenë fokus të veçantë me procesin që po ndodh në Greqi. Një monitorim ndërkombëtar, i vëzhguesve të huaj, mbi procesin që ka kaluar jashtë kontrollit dhe që për ne gjykojmë dhe kemi dyshimet që po kryhet nga partia në pushtet, ne kërkojmë mbështetjen dhe monitorimin e tyre, monitorimin ndërkombëtar”, u shpreh Topalli.
Topalli tha se ajo që po ndodh në Greqi është e veçuar nga shtetet e tjera pavarësisht problematikave që janë paraqitur edhe në vendet e tjera.
Ajo kërkoi nga KQZ një auditim të të gjitha kutive të votimit të marra nga jashtë, ndërsa SPAK të nisë hetimet për personat që po shkelin ligjin.
Po ashtu, ajo denoncoi se ka disa raste, ku persona që kanë votuar jashtë, po vijnë në atdhe dhe po e gjejnë emrin te listat e votimit.
“Jemi në kushtet ku nuk është respektuar kodi zgjedhor, ku ata që janë regjistruar në PER nuk mund të vijnë më për të votuar”, u shpreh Topalli./