Laureta Halili, një qytetare e komunitetit egjiptian në qytetin e Vlorës, denoncoi në emisionin “Stop” arrestimin dhe mbajtjen pa të drejtë të djalit të saj Kevi Bilaj në qelitë e paraburgimit.
“Jam nëna e 4 fëmijëve dhe jam e divorcuar. Janë vjedhur dy trupe motorash në lagjen “Çole” dhe më akuzojnë djalin. Më thanë do bëjmë kontroll në shtëpi dhe kanë bërë një procesverbal që nuk është gjetur asnjë send. Në të njëjtën kohë janë gjetur dy grupe motorash në shtëpinë e Eljo Muratit nga OPGJ dhe i plotfuqishmi i rajonit numër 4. Si përfundim, pas 72 orësh djali im ka shkuar në burg, ndërsa Eljo Muratin e kanë lënë të lirë. Unë kërkoj drejtësi!”, u shpreh e shqetësuar Laureta.
Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi nëpërmjet një telefonate me avokaten e Kevi Bilaj, Odeta Alirraj.
“Kevi Bilaj është ndaluar në datën 4 Mars. Unë kam qenë në komisariat, ndërkohëqë para se të merrej në pyetje u bë masa e arrestit. Pastaj gjyqtarja vendosi “vleftësimin e paligjshëm të arrestit”. Caktoi si masë sigurimi personal “arrest me burg”. Neni e parashikon që ndërkohë që gjykata vendos që arresti është i paligjshëm, duhet të vendosë lirimin e menjëhershëm. Bëra ankimimin dhe Gjykata e Apelit vendosi “lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë”. Sa të vijë dosja nga apeli, do bëjmë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë”.
Pra Gjykata e Shkallës së Parë e quajti të paligjshëm mbajtjen në paraburgim të Kevi Bilaj dhe po kështu Gjykata e Apelit, ndërkohë që ai mbeti në qeli.
Kryetarja e shoqatës egjiptiane “Nefreta”, Zhaneta Veizaj u shpreh se gjithë lufta e tyre për të nxjerrë fëmijët nga burgjet në mënyrë që t’i drejtojnë në bankat e shkollës po hidhet poshtë.
“Unë i bëj thirrje dhe apel të gjitha organeve kompetente të të gjitha rangjeve: Mos na i largoni fëmijët nga bankat e shkollës dhe të na i mbyllni prapa hekurave të burgjeve. Mos na i detyroni fëmijët të largohen nga puna, gjiri i familjes dhe shteti!”
Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku e të ëmën e të burgosurit iu drejtuan Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për të pyetur për këtë çështje, por e vetmja përgjigje ishte që duhej të dërgonin një kërkesë te zyra e informacionit.
Më pas gazetarja komunikoi me oficerin e policisë gjyqësore, Bardhosh Gjon Dedën, i cili pretendoi se ka vepruar drejt në këtë çështje, pasi as prokurori nuk ia ka dhënë lirimin e menjëhershëm të dënuarit.
Gazetarja – Ku e ke gjetur mjetin “Piaggio”?
OPGJ Bardhosh Gjon Deda – Të dy personat janë arrestuar dhe…
Gazetarja – E ke gjetur te dy vëllezërit Eljo dhe Kevin Murati, të cilët e kanë pranuar në seancë gjyqësore që mjetin e kemi ne dhe e kemi vjedhur ne të dy.
OPGJ Bardhosh Gjon Deda – Po, po, po!
Gazetarja – Ku e ke kapur në flagrancë djalin tjetër të komunitetit egjiptian?
OPGJ Bardhosh Gjon Deda – Nuk të shpjegoj dot flagrancën unë ty tani, që të shpjegoj ku është flagranca..
Gazetarja – Nuk është flagrancë zotëri sepse ta ka sjellë vetë nëna me dorën e vet! Ke dhe një prind tjetër këtu që e ke thirrur për verifikim!
OPGJ Bardhosh Gjon Deda – Nëse veprimet tona do të ishin të gabuara, prokurori i çështjes do ta kishte bërë lirimin e menjëhershëm. Prokuroria dhe gjykata ka vendosur për atë, që më 16 vjeç të hetohet në gjendje të lirë.
Gazetarja – Po pra, se është bazuar te faktet e tua!
OPGJ Bardhosh Gjon Deda – Të lutem, më fal tani më duket, se u sqaruam!
Laureta Halili iu drejtua gjykatës për t’i kërkuar llogari gjyqtares së çështjes, Vjola Canajt se përse e ka lënë të birin në burg, ndërkohë që hajduti e ka pranuar vjedhjen.
Qytetarja – Ka pasur djali në masë arresti dhe keni nxjerrë Eljo Muratin, domethënë që është hajduti dhe keni lënë Kevi Bilaj brenda.
Gjyqtare Vjola Canaj – Kam bërë edhe të drejtën e Apeli.
Qytetarja – Eljo Murati e pranoi që Kevi Bilaj nuk ka lidhje, unë e kam vjedhur. Për çfarë arsyeje ma lë djalin në burg o zonjë, se unë jam për bukën e gojës. Kam kërkuar diskun (e seancës gjyqësore) dhe ju kemi thënë që është minoren.
Gjyqtare Vjola Canaj – Çfarë rëndësie ka? E kam dhënë vendimin tim!
Qytetarja – Për çfarë arsye më keni lënë djalin brenda? Unë atë dua të di, kur ke nxjerrë hajdutin, o e nderuar gjyqtare!
Gjyqtare Vjola Canaj – Unë të sqarova, pak a shumë…
Qytetarja – Me çfarë akuze më ke lënë fëmijën brenda?
Gjyqtare Vjola Canaj – Zonjë…
Qytetarja – Kur Eljo Murati e pranoi që e kam vjedhur unë…Kevi Bilaj nuk ka…
Gjyqtare Vjola Canaj – Keni të drejtën e ankimimit, shko…!
Qytetarja – Moj më kthe një përgjigjie, të lutem!
Gjyqtare Vjola Canaj – Nuk kam unë përgjigjie…
Qytetarja – Gjyqin për çfarë e ke bërë pa disk?
Ndërkohë që vetë autori i grabitjes, Eljo Murati pranon fajësinë para të ëmës së të akuzuarit, duke thënë se këtë gjë e ka thënë edhe në gjykatë.
Qytetarja – O Eljo, mua më tha avokatja që ti e pranove në sallë..
Eljo Murati – Po!
Qytetarja – Me kë i vodhe dy grupet e motorit?
Eljo Murati – Po… vetëm.
Qytetarja – Me kë?
Eljo Murati – Mora edhe vëllain. Vëllai ishte larg, me vëllanë e vogël edhe.. ashtu thashë edhe në gjykatë. I mora unë i thashë, ky (Kevi Bilaj) s’ka punë fare!
Qytetarja – Bardhoshi( OPGJ) ku e gjeti mallin?
Eljo Murati – Te shtëpia ime.
Qytetarja – Dy grupet e motorave…
Eljo Murati – Te shtëpia ime.
Policia dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi u informuan që emisioni “Stop” po ndiqte këtë çështje, më datë 30.04.2018 vëndosën të ndryshonin masën “arrest me burg” për 19 – vjeçarin, në “detyrim paraqitje”.
“Dua të falenderoj emisionin “Stop” sepse sa morën vesh që “Stop” po merrej me çështjen e djalit, gjykata, prokuroria dhe policia, nga “arrest me burg” që ma kishin lënë djalin ma nxorën me “detyrim paraqitje”. Me këtë masë që ka marrë gjykata e kundërshtoj sepse djali është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje në këtë çështje. Më ka bërë 2 muaj burg pa të drejtë!”, tha Laureta Halili.
Nga ana tjetër, i dënuari për vjedhje u shpreh: “Kam kaluar 2 muaj stres atje brenda për diçka që nuk e kam bërë. Jam i pafajshëm! Pse duhet të dënohesha unë për diçka që nuk e kam bërë? Kërkoj drejtësinë time!”
Ndërkohë që Kevi Bilaj kërkon ende pafajësinë, i duhet të paraqitet dy herë në javë te OPGJ deri në momentin që do të merret vendimi përfundimtar për të.