Vjosa Park Kombëtar/ Ministrja Kumbaro: Kemi sfiduar historinë me këtë vendim

Nga Tepelena, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se shpallja e lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosës, Park Kombëtar është rezultat i një pune të gjatë dhe bashkëpunuese me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro ka deklaruar se kjo nuk është një përrallë më, por është një realitet i një pune të bërë nga dhjetra ekspertë si dhe realitet i vizionit të qeverisë shqiptare.

Mes të tjerash, ministrja Kumbaro është shprehur se ky vendim është marrë si kurajo politike e qeverisë shqiptare teksa ka shtuar se me këtë vendim është marrë përsipër që të ndryshohet rrjedha e logjikës ekonomike dhe është sfiduar historia.

 

Mirela Kumbaro: Nga shpallja Park Natyror në Janar 2022, nga diskutimet me Patagonian, tek firmosja e marrëveshjes me Patagonian, në koordinimin midis Ministrinë e Turizmit dhe Unionit Ndërkombëtar për Natyrën, me të cilët hap pas hapi, përshkuam të gjithë hapësirën e mbretëreshës së lumenjve për ta ruajtur të egër këtë nuse të egër, por edhe të fortë. Për ta mbrojtur, por edhe për ta përgatitur për zhvillimin e ekonomive të zonës.  

Vjosa Park Kombëtar tani, ose ndryshe, Vjosa National Park, nuk është përrallë, por realitet i një pune të bërë nga disa dhjetra ekspertë, si dhe të koordinatorit ndërkombëtar të UCNS-së, po ashtu të vizionit të qeverisë shqiptare, duke e bërë realitet ta bëjë Shqipërinë që rritet dhe emancipohet. Shenjë emancipimi social dhe politik të vendit tonë që është rritja e ndjeshmërisë ndaj natyrës. Po ashtu edhe komunikimi disavjeçar me partnerët.

Ky vendim i qeverisë shqiptare është kurajo politike. Kemi sfiduar historinë me vendimin e sotëm, kemi marrë përsipër të ndryshojmë rrjedhën e logjikës ekonomike të dikurshme, kemi sfiduar të shkuarën në emër të së sotmes.

Të Fundit