Vizatimi i një vajze 12 vjeçe nga Rusia është bërë shkak për të nisur hetime mbi babain e saj i cili tashmë rrezikon të burgoset. Në vizatimin e kësaj vogëlusheje pasqyrohej lufta mes Rusisë e Ukrainës.
Në vizatim duket një flamur i Ukrainës me mbishkrimin “Lavdi Ukrainës”, një flamur rus ku shkruhet “Jo luftës”, disa raketa që fluturojnë nga Rusia drejt Ukrainës dhe në qendër një vajzë e vogël me nënën përdore të cilat duket sikur po sfidojnë raketat.
Pasi panë vizatimin e vajzës, në shkollë u thirr policia, ndërsa babai i saj, i cili është një prind i vetëm u vu nën hetim. Policia hetoi rrjetet sociale të Alexeit, babait të 12- vjeçares dhe atij ju tha se po e rriste vajzën në një mënyrë të keqe.
Këtë herë Alexei përballet me një dënim të mundshëm me burg. Alexei aktualisht është nën arrest shtëpiak në Yefremov. Vajza e tij Masha, tani për tani, është dërguar në shtëpinë e fëmijëve. Alexei nuk është lejuar as të flasë me të as në telefon.