Video/Rama:Nis operacioni i eksportit detar. Momenti kur kapen 2 peshq të mëdhenj

Ka nisur sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë që numëron 27 destinacione.

Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama që së bashku me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, biznesmenin Gjergj Luca dhe ambasadorin e Japonisë Takada Mitsuyuki kanë parë nga afër operacionin e eksportit detar të Shqipërisë në Sarandë.

“Nis sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, i cili e përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, që nga 3 vende në vitin 2013 sot ka plot 27 destinacione.

Industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkuruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synojmë dyfishimin në Mandatin e Tretë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë Ambasadori i Japonisë tha se ky biznes mund të kontribuojë në zhvillimet e tregëtisë të dy palëve si dhe do të sjellë investime të reja nga Japonia.

“Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në këtë dërgesë të parë nga Shqipëria në Japoni. Shpreh respekt për punën. Jam i kënaqur që ju kontribuoni në këtë mënyrë në ekonominë shqiptare. Dërgesa më e fundit e tonit është shumë e mirë në Japoni. Ky është një biznes i ri sfidues në Shqipëri dhe po kështu ky biznes mund të kontribuojë në vëllimet tregtare të dy palëve. S’është vetëm diçka e njëhere, por që do të vazhdojë. Jam i lumtur që ndodhem këtu, është nder”, tha ambasadori.

Ndërkohë gjatë vozitjes me anije janë kapur dhe dy peshq ton të mëdhenj ndërsa kryeministri nuk ka nguruar të pozojë me të ftuarit e tij pas peshqve të kapur.

Të Fundit