Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi është kapur duke lëvizur i armatosur te tregu elektrik. Shtetasi S. D., banues në Tiranë, është arrestuar pasi, sipas policisë, lëvizte me pistoletë në brez, e cila është sekuestruar. Ndërsa është proceduar penalisht një shtetas 28-vjeçar me inicialet S. C., i cili dyshohet se ka pasur dijeni për veprimtarinë kriminale të 30-vjeçarit dhe nuk e ka kallëzuar.
“Në vijim të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, si dhe si rezultat i sigurimit dhe administrimit të shpejtë të informacionit se një shtetas lëvizte i armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe ndalimin e tij. Në kuadër të operacionit të koduar ‘Implikimi’, u kap te tregu elektrik shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me municion, të cilën e mbante pa leje. Më tej, në kuadër të këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. C., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’. Vijojnë hetime për të përcaktuar qëllimin kriminal të 30-vjeçarit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.




