Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ka një rritje të madhe të kërkesave për zgjidhje të martesës në vend, sidomos në Vlorë dhe Tiranë.
Më tradicionalë mbeten Kukësi dhe Dibra, të cilat shënojnë numër më të ulët të kërkesave për divorc.
Sipas avokates, ky është një numër rekord i kërkesave të kësaj natyre.
“Është një numër shumë i madh. Edhe kur po e flisja me sekretarinë e gjykatës, më tha që s’ka ndodhur ndonjëherë të ketë një rekord kaq të madh të numrit të divorceve”, tha ajo.
Por sipas Markut, jo të gjitha kërkesat për divorc janë reale. Ajo sqaron se ka shumë martesa ku burri merr mbiemrin e gruas, si mënyrë për të dalë jashtë shtetit. Kjo vjen për shkak të masës së ndalimit që këta persona kanë në Evropë. Më i përhapur si trend duket në zonën veriore, për shkak se janë dhe ata që emigrojnë më tepër.
“Duhet thënë që jo të gjitha janë reale, pasi kemi shumë martesa të huaja për dokumentacion. Një trend tjetër janë martesat që bëjnë ndryshime të mbiemrave, duke qenë se e kanë të ndaluar zonën Schengen dhe për të humbur gjurmët bëjnë ndryshime të mbiemrave. Janë të detyruar të marrin mbiemrin e partneres, edhe kjo ka një numër të madh. Burri merr mbiemrin e gruas për të kamufluar veten për të dalë në Evropë. Janë këta persona që kanë ndalesa në Evropë. Është një trend që dy-tre vitet e fundit është zgjeruar shumë. Por kjo përgjithësisht ndodh në zonën e veriut, pasi ata e kanë trendin e emigrimit më të lartë”, sqaroi ajo.
Por cilat janë shkaqet më të zakonshme që bëjnë çiftet të divorcohen? Sipas eksperiencës së avokates, tradhtia luan një rol të madh.
“Zakonisht tradhtia. Nuk është turp ta themi, pasi është një fenomen. Tani janë më të hapur për ta deklaruar dhe më të hapur për ta shprehur. Nuk ngurrojnë më ta deklarojnë edhe në gjykatë”, tha ajo.




