Veliaj: Tirana, qyteti më i pastër në rajon

“Cilësia e ajrit vlerësohet me notën 8 nga sateliti i BE”

Politikat e gjelbra që Bashkia e Tiranës ka marrë vitet e fundit e ka bërë kryeqytetin me ajrin më të pastër. Kjo deklaratë e kryebashkiakut të Tiranës, u bë gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Mundësitë Ekologjike për Sektorin Financiar në Shqipëri.

“Kur filluam punë në Bashkinë e Tiranës, sateliti Kopernik, i cili mat cilësinë e ajrit në të gjitha qytetet e Europës (është një shërbim pa pagesë i BE-së), nga një vlerësim 1-10, Tiranës i jepte vlerësimin 2-3. Sot, tani që po flas po futem live në aplikacion, vlerësimi për cilësinë e ajrit në Tiranë është 8, kurse në ditët pa makina shkon 9-10. Ky vlerësim nuk është 8 sepse flasim bukur, por është i tillë sepse kemi marrë vendimet e duhura.

Veliaj tregoi disa nga vendimet që kanë sjellë këtë rezultat.

“Qendra e Tiranës, nga një rrethrrotullim i madh makinash, sot është sheshi më i madh në Europën Juglindore. Pazari i Ri, nga një vend ngarkim-shkarkimi në mes të Tiranës, sot është një tjetër hapësirë pa makina. Këtu, mbas kurrizit tonë, ishte një landfill i vogël, mu në qendër të Tiranës, Muret e Kalasë, por sot është një tjetër hapësirë e kthyer jo vetëm në një pol ekonomik me shumë biznese, por edhe më e pastër. Mënyra se si sillemi, mënyrë si investojmë, si i marrim vendimet dhe nëse i reflektojmë këto vendime, ashtu siç i themi në këto takime, atëherë marrim rezultatet për të cilat ju fola dhe sot Tirana është një nga qytetet më të pastra në rajon”.

Zonën e Lirë Ekonomike që do të ngrihet në Kashar, Veliaj e cilësoi një tjetër vendim i rëndësishëm.

“Bashkia e Tiranës sapo është licencuar nga qeveria, që të operojë një zonë të lirë ekonomike në Kashar; është një hapësirë prej rreth 60 ha dhe që tani kemi klientët e parë potencialë, një prej tyre është kompania më e madhe data-center e Izraelit. Siç pamë edhe rrezikun që na solli hakerimi nga forcat armiqësore, si rasti i Iranit që dëmtoi shërbimet tona, gjithnjë e më shumë lind nevoja për më shumë ‘cyber security’, por edhe më shumë eficencë në mbajtjen e arkivave.

Veliaj bëri me dije se vetëm 4 ditë pas marrjes së licencës nga qeveria janë ofruar 4 kompani të huaja.

 

Të Fundit