Kryebashkiaku apelon të shmanget trafiku në Tiranë
Për të shmangur trafikun që mund të krijohet ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkon nga prindërit që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në këmbë dhe jo me makinë.
“Dua ndihmën e prindërve sepse në ditën e parë të shkollës s’kemi pse t’i çojmë fëmijët me makinë. Moti është i mirë, rrugën e bën për 15 minuta në këmbë. Fakti që janë regjistruar vetëm fëmijët e rrugëve përreth, do të thotë që shkolla nuk është më larg se 500-600 metra”.
Teksa zhvilloi një tur për të parë nga afër ecurinë e përgatitjeve në çdo shkollë të kryeqytetit, Veliaj nga gjimnazi “Ismail Qemali” theksin e vuri tek dezinfektimi i ambienteve arsimore.
“Po bëjmë dezisektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e shkollës, për t’u siguruar që higjiena është primare sepse leksionet që na dha Covid-i nuk i kemi vetëm për hall, por jemi gjithmonë të përgatitur.”
Të hënën në bankat e arsimit parauniversitar për këtë vit të ri shkollor do të ulën rreth 170 mijë nxënës.