Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka akuzuar opozitën se po kërkon të vërë shqiptarët kundër njëri-tjetrit.
Veliaj tha se në një kohë kur vendi ndodhet në një situatë krize, sipas tij opozita e financuar me leketë e rusëve po përgatit luftë me shqiptarët. Kryebashkiaku u shpreh se ky nuk është momenti për protesta, por për solidaritet dhe bashkim.
“E gjithë bota bën luftë me Rusinë, këta që marrin lekët e rusëve bëjnë luftë me ne. E kuptoni sa jashtë realitetit janë? E gjithë bota po përgatitet si të mbrohet, si të reagojë, si t’i përgjigjet luftës me Rusinë, kurse këta që marrin lekët e rusëve përgatiten si të bëjnë luftë me shqiptarët. Sot, miqtë e mi, duhet të jemi shumë të qartë! Jemi në një situatë të vështirë. Ndaj, nuk lipset të bëjmë luftë shqiptar me shqiptar. Lipset të ndihmojmë njëri-tjetrin! Lipset t’i japim një dorë njëri-tjetrit! Edhe pse jemi vend i varfër, qeveria tha: “Rritjen e çmimit të energjisë do ta përballojmë ne, që njerëzve të mos u ndryshojë fatura, pavarësisht sa ka shkuar çmimi në bursë”. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne në Bashkinë e Tiranës. Gjysmën e kostos do e përballojmë ne, që studentët të mos e ndiejnë rritjen e çmimit për konviktet dhe për gjithë shërbimet e tjera,” tha Veliaj.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë thumboi sërish deputetin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili disa ditë më parë tha se nuk është i ardhur në kryeqytet. Veliaj shtoi se Tirana sot është 90% burra dhe gra që kanë ardhur nga diku tjetër dhe kanë bërë historinë e tyre të suksesit këtë qytet.
Kryebashkiaku shtoi se Tirana sot është një Amerikë e vogël. “Kur ti pyet dikë: A e njeh kryetarin e Bashkisë? Ti mund të thuash se unë e urrej kryetarin e Bashkisë, se unë nuk e dua kryetarin e Bashkisë, se do të luftoj që ta mund kryetarin e Bashkisë. Por, s’mund të thuash se nuk i njoh këta ‘jabanxhinjtë’, se unë nuk jam i ardhur në Tiranë. Tirana sot është 90% burra dhe gra që kanë ardhur nga diku tjetër dhe kanë bërë historinë e tyre të suksesit këtë qytet. Tirana jonë është një Amerikë e vogël, ku nëse ti punon fort, nëse ti mundohesh, nuk ka rëndësi si e ke mbiemrin, apo teserën e kujt partie ke, ku ke lindur dhe ku e ke shtëpinë sepse ti mund t’ia dalësh me sukses. Në një vend ku një çun i vogël, që shiste fiq, bëhet kryetar i Bashkisë, çdo çun dhe gocë e vogël nga Dritasi, nga Zall Herri, nga Tapiza dhe çdo periferi e Tiranës, nëse punon fort, mund të bëhet kush të dojë dhe çfarë të ëndërrojë”, tha më tej Veliaj.
Këto deklarata, kryebashkiaku i bëri gjatë inagurimit të shkollës së re 9-vjeçare në Dritas në Zall Herr, një shkollë që ka pritur këtë vit shkollor rreth 270 nxënës. Në përurimin e godinës së re, Veliaj, tha se shkolla është pjesë e paketës së 40 shkollave të reja të rindërtuara pas tërmetit në Tiranë.
“Emri i fshatit Dritas më ka pëlqyer gjithmonë, sidomos në kohët kur terri mundohet të na imponohet. Kur them ‘terri’ nuk e kam vetëm për errësirën fizike, por edhe për ata që janë të errët në mendje, gjithmonë negativë dhe që shohin zi e më zi e keq e më keq. Por, sot në Dritas ka dritë! Është bërë një punë e mirë. Nuk është perfekt, por të paktën për këtë punë të mirë mund të jemi krenarë dhe mund të themi se vërtet kemi krijuar një pikë graviteti për komunitetin këtu. Vjet hapëm 14 shkolla të reja. Sivjet 12 shkolla të reja. Kurse, në total, në këto vite kemi bërë 40 shkolla. Kur të bëhet bilanci, do jetë shumë e qartë. Kush ka bërë 40 shkolla dhe kush ka bërë zero shkolla. Unë besoj se 40 me 0, s’ka rezultat më fitues, për sa kohë që rezultati është puna dhe jo llogjet, jo sharjet, jo fyerjet!”, u shpreh Veliaj.