Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës online me gazetarët u shpreh se në mesin e muajit janar do të nisë procesi i vaksinimit në Shqipëri për koronavirusin.
“I gjithë ky ngërç i takon vetëm fazës që parë së prodhimit, do të rritet në muajt në vijim. Ne jemi të bindur që do të fillojmë vaksinimin pa pritur që të kalojmë ose të kalojë ky ngërç, do ta fillojmë vaksinimin brenda janarit. Në mes të janarit do të jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin”, u shpreh Rama.
Kryeministri premtoi më tej se së shpejti do të vijnë edhe 400 mijë teste të shpejta.
“Së shpejti do të kemi 400 mijë teste të tjera që vijnë në Shqipëri dhe do të rrisim testimet. Kemi të mbuluar skemën e rimbursimit të paketës bazë për pacientët që trajtohen në shtëpi. Kemi garantuar një vaksinim të konsiderueshëm për gripin sezonal. Ndërkohë prej 1 janarit do paguajnë me 1000 euro plus mjekët dhe 500 euro plus të gjitha stafet në vijën e parë të zjarrit”, tha ai më tej.