Vaksina anti-Covid, aeroporti i Frankfurtit gati të përballet me sprovën e transportit

Teksa një mori vaksinash kundër COVID-19 janë prag aprovimit, stafi i aeroportit të Frankfurtit në Gjermani po përgatitet për t’u përballur me sprovën e jashtëzakonshme logjistike të transportimit të miliona dozave që mund t’u shpëtojnë jetën miliona njerëzve në botë.

Frankfurti është epiqendra e Evropës për sa i përket fluksit të transportit të mallrave farmaceutike dhe për këtë pritet të jetë çelësi i suksesit të strategjisë së vaksinimit të miliona njerëzve kundër koronavirusit.

“Stresi po rritet tani që po hyjmë në fazën e nxehtë,” – u shpreh për Agence France-Presse (AFP) Karin Krestan, drejtoreshë e operacioneve të Lufhtansa Cargo

Krestan, e cila përdor aftësitë e saj si ish-infermiere, është e sigurt se ekipi i saj është i gatshëm për detyrën e kërkuar.

“Proceset janë krijuar, ne jemi shumë të sigurt dhe ndihemi të mirëpërgatitur,” – shtoi ajo.

Shefi i infrastrukturës së mallrave në aeroportin e Frankfurtit, Max Philipp Conrady u shpreh gjithashtu se ata kanë qenë “gati që në gusht”.

Terminali i ngarkesave të Frankfurtit ka punuar gjatë gjithë kohës që nga fillimi i pandemisë, duke shpërndarë ilaçe, veshje dhe maska kirurgjikale ​duke mbështetur kështu zinxhirët globalë të furnizimit. E gjitha kjo teksa numri i pasagjerëve dhe linjave ajrore ra drastikisht.

Hangari i madh i aeroportit, i vendosur disa kilometra nga terminali kryesor i pasagjerëve, mbajti 120,000 tonë vaksina, ilaçe dhe produkte të tjerë farmaceutikë në vitin 2019.

Ai ka 12,000 metra katrorë depo të kontrolluara për temperaturën, thelbësore kjo për ruajtjen e ilaçeve apo vaksinave. Nga e gjithë hapësira hangari ka 2,000 metra katrorë depo të ftohtë, ideale për vaksinat anti-COVID-19.

Aeroporti i Frankfurtit kohët e fundit rriti investimet në frigoriferë të teknologjisë së lartë dhe pajisje shkarkuese figoriferike për avionët dhe tashmë ka 20 copë të tillë, kështu që disa transportues mund të ngarkohen në të njëjtën kohë.

Disa vaksina, të tilla si ajo e prodhuar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, mund të transportohen në temperatura normale të frigoriferit.

Por Pfizer, i zhvilluar në laboratorin BioNTech në Mainz, rreth 20 km nga aeroporti i Frankfurtit, duhet të mbahet në rreth -70 gradë Celcius.

Kjo kërkon kontejnerë me madhësinë e një makine, të cilët përdorin akull të thatë për të mbajtur përmbajtjen në temperatura të qëndrueshme, super të ulëta.

Ata mund ta bëjnë këtë deri në 120 orë pa furnizim me energji elektrike, aq kohë sa të arrijnë destinacione të largëta.

Kohët e fundit Bashkimi Evropian ra dakord për të blerë 300 milionë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, duke parashikuar një operacion të madh logjistik, pjesa më e madhe e së cilës do të përfshijë Frankfurtin në muajt e ardhshëm.

Kapaciteti i fluturimit do të jetë një faktor kryesor në ritmin e shpërndarjes.

Sigurimi i një doze të vetme për gati tetë miliardë njerëz në botë do të kërkonte 8,000 avionë, vlerësoi shoqata e transportit ajror IATA në shtator, duke shtuar se industria e ngarkesave përballet me “sfidën e saj më të madhe të transportit”.

Avionët e ngarkesave normalisht mund të mbajnë deri në një milionë doza, përveç nëse duhet të mbahen temperaturat nën zero.

Të Fundit