Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci iu është bashkuar urimeve për kryeministrin Edi Rama, pas fitores që mori PS-ja në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një mesazhi në Twitter, Bucci uroi Ramën dhe PS për rezultatin, po ashtu edhe liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe krerët e partive opozitare për fushatën elektorale.
Po ashtu ambasadori italian, teksa ka shpërndarë një deklaratë të Ministrisë së Jashtme italiane, thekson se tashmë shtë koha që të gjitha partitë të punojnë në interes të shqiptarëve.
“Urimet e mia për Kryeministrin dhe PS-së për rezultatin zgjedhor. Urime Lulzim Bashës dhe drejtuesve të partive të tjera të opozitës që bënë një fushatë elektorale intensive. Për të gjitha forcat politike, tani është koha të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke respektuar rezultatin zgjedhor. Një opozitë e pjekur dhe e përgjegjshme është thelbësore në çdo demokraci. Mbështetje maksimale për Shqipërinë dhe institucionet e saj për një sezon të ri që sheh ndër përparësitë fillimin e negociatave të pranimit në BE!”, shkruan Bucci
DEKLARATA E MINISTRISË SË JASHTME ITALIANE
Ministria e Jashtme italiane regjistroi me kënaqësi përparimin e raundit elektoral në Shqipëri, i cili u zhvillua të dielën më 25 Prill. Italia përgëzon për organizimin e mirë të procesit zgjedhor, siç tregohet nga OSBE/ODIHR në raportin e saj paraprak, dhe veçanërisht për profesionalizmin dhe transparencën e treguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri, Ilirjan Celibashi. Raportet e pretenduara të mashtrimit dhe parregullsive duhet të vlerësohen me përpikëri dhe në përputhje të plotë me procedurat e vendosura nga kodi zgjedhor.
Zgjedhjet e të dielës me 25 prill kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj drejt Evropës. Pas ballafaqimit elektoral, tani është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të angazhohen të punojnë për të mirën e vendit, duke kontribuar në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre qendrore të referencës në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional.
Shpresa e Italisë është që të gjitha forcat politike të punojnë në mënyrë kohezive në mbështetje të objektivit strategjik të përfaqësuar nga hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përmes një dialogu konstruktiv dhe të respektueshëm midis mazhorancës dhe opozitës që lejon vendin të përballet me sukses me sfidat që e presin. Italia do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri institucionet shqiptare në këtë rrugë dhe aspiratat legjitime të popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes evropiane.