Ultimatumi i Shoqatës së Transporteve, Veliaj: Kush nuk del në punë i hiqet licensa

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte këtë të hënë në gjimnazin Myslim Keta i cili, pasi iu nënshtrua rikonstruktimit, pritet të hapë dyert në shtator.

Nga aty Erion Veliaj foli edhe lidhur me një ultimatum të dhënë ditën e shtunë nga Shoqata e Transportit të cilët kërkuan ndërhyrjen e shtetit për vijimin e paketës antikrizë.

Në të kundërt Shoqata e Transportit paralajmëroi reduktim të linjave të urbanëve.

Veliaj e ka quajtur të padrejtë e të pandershëm ultimatumin e shoqatës së transporteve dhe ka thënë se kush nuk do dilte në punë do i hiqej automatikisht licensa.

“Kemi pasur një ultimatum të padrejtë dhe të pandershëm nga e gjithë shoqata e transportit publik të Tiranës. Sigurisht kur dikush të vendos një ultimatum të tillë në temperaturë 40 gradë ditën e shtunë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm me një mënyrë.

Premtimi im ka qenë për të gjithë operatorët se kush s’del në punë do të humbasë automatikisht licencën, më rezultoi se të gjithë dolën në punë.

Por çështja është se nuk ecet përpara me ultimatume, nuk bëhet kjo me pabesi në një fundjavë mes korrikut dhe gushtit dhe nuk bëhet kjo në të vetmin qytet që në fakt është i vetmi qytet që e subvencionon transportin publik që paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që u ka kompensuar dhe naftën operatorëve”,-tha Erion Veliaj.

Të Fundit