Harta e re gjyqësore shumë shpejt do të kalojë për miratim nga qeveria. Kështu ka deklaruar ministri i Drejtësisë Ulsi Manja para mediave.
“Harta e re gjyqësore shumë shpejt do të jetë në qeveri. Do të kemi një konsultim të dytë dhe pastaj me propozimin tim do të kalojë në qeveri. Duhet kostuar harta e re gjyqësore nga ministria e Financave”, tha ministri.
“Njësia anti korrupsion ka një dinamikë çështjesh në lidhje me pronat. Është çështje që po e përgatisim me sukses. Kur të jetë e dokumentuar me prova do të dalim para jush. S’ka stopim të punës”, shtoi Manja.
Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ.
Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej. Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.