“Ulërinin duke kërkuar vdekjen e vajzave e grave”, drejtuesja e zyrës juridike flet për 8 janarin

Partia Demokratike ka bërë publike rrëfimin e Marinela Ziut, e cila drejton zyrën juridike në departamentin anti-korrupsion në selinë blu.

Përmes një video të bërë publike në rrjetet sociale, Ziu tregon tmerrin që ka përjetur ditën e 8 janarit, kur protestuesit tentuan të hyjnë në godinën e selisë së Partisë Demokratike dhe u përdorën sende të forta apo u lëshuan gazra të ndryshëm.

Ajo shprehet se nuk është ndjerë kurrë më e kërcënuar se më 8 janar, ku kishte njerëz që ulërinin duke kërkuar vdekjen e atyre që ndodheshin në seli.

“Unë quhem Marinela Ziu, prej 9-vjetësh drejtoj zyrën juridike në departamentin anti-korrupsion në Partinë Demokratike. Mesditën e 8 janarit nuk kam për ta harruar kurrë atë urrejtje të një grupi njerëzish, që silleshin si bandë kriminale, që nuk ka asnjë lidhje me demokratët dhe që ulërinin duke kërkuar vdekjen e vajzave, grave, djemve dhe burrave që ishin në krye të detyrës në selinë e partisë.

Në jetë nuk jam ndjerë kurrë e frikësuar, fatkeqësisht u ndjeva ashtu në selinë e shtëpisë tonë të të përbashkët. 8 janari shënon distancimin total të Partisë Demokratike nga dhuna, si një mjet politik brenda vetes edhe me kundërshtarin sepse forca jonë është fjala, forca jonë janë idetë”,-tha Ziu.

Të Fundit