Policia e Kukësit ka vënë në pranga 5 persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme ku dyshohet se u vetëplagos me armë një 19 vjeçar.
Ky i fundit edhe pse ndodhet në spital për shkak të plagëve të marra, policia e ka arrestuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpêrthyese dhe i municionit”.
Në pranga ka rënë edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, dhe 3 të tjerë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në qytetin e Kukësit, ku dyshohet se u vetëplagos aksidentalisht shtetasi B. P., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. P., 19 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpêrthyese dhe i municionit”;
– S. C., 54 vjeç (pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja), A. G., 28 vjeç, M. S., 30 vjeç dhe F. A., 37 vjeç, të gjithë banues në Kukës, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. K., 28 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të rastit.