U thirr në mbledhje jashtë radhe, Leli nuk paraqitet: Po shkelni ligjin

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli nuk është paraqitur ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak e cila pritej të mbahej në orën 10:00.

Kjo ishte një mbledhje që do të zhvillohej jashtë radhe,e kërkuar nga vetë Këshilli Bashkiak, i cili ka theksuar se ajo do të mbahet në teatrin “Petro Marko”. Bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohej për llogaridhenien mbi punët publike të kryera në qytet nga ana e kryebashkiakut Dritan Leli.

Mungesën e prezencës Leli e ka paralajmëruar edhe më herët nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” nëpërmjet një letre.

Në letrën e tij, kryebashkiaku Leli sjell në vëmendje masat anti-Covid, duke iu bërë kështu të qartë këshilltarëve se po shkelin rregullat.

Leli shkruan mes të tjerash se “Me veprimet e mësipërme, ju si organizatorë të kësaj mbledhje, jeni duke shkelur ligjin 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku jemi të detyruar të sjellim në vëmendjen tuaj se bazuar në nenin 3 pika 2 të aktit normativ nr.3/2020, subjektet apo individët që organizojnë ndër të tjera dëgjesa publike dënohen me gjobë në masën 5.000.000 lekë”.

Për këtë, Dritan Leni vijon “Në respekt të ligjit dhe të masave në fuqi për të parandaluar përhapjen e Covid-19, theksojmë sikundër jemi shprehur më parë se mbledhja jashtë radhe e Këshillit të Bashkisë Vlorë duhet të zhvillohet virtualisht (online)”.

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shkruan në “Facebook” Leli, përbri letrës drejtuar këshillit.

Të Fundit