U përplas me dy makina, Policia arreston shoferin e autobusit të ‘Krrabës’

Policia e Shtetit ka vënë në pranga Gentjan Qosjen, 31-vjeçarin i cili ishte shoferi i autobusit të Krrabës, që pësoi aksident dy ditë më parë në kryeqytet.

Edhe pse ai u shpreh se ishte me agjërim e se kishte debulesë në momentin që ndodhi aksidenti, Policia dyshon se ai ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Sipas efektivëve, Qosja humbi kontrollin mbi drejtimin e autobusit, e për pasojë u përplas me një automjet të parkuar dhe më pas është përmbysur.

Njoftimi:

G. Q., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar autobusin e linjës së Krrabës, në Rrugën e Elbasanit, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit. Për pasojë autobusi është përplasur me një automjet të parkuar dhe më pas është përmbysur. Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i autobusit dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ndodhi pranë zonës së Saukut, pranë Fakultetit të Ekonomikut. Autobusi i linjës së Krrabës u përmbys në rrugë, pasi u përplas me dy mjete, duke lënë të lënduar 3 persona.

Shoferi i autobusit, Gentjan Qosja, nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike. Pas ngjarjes, ai u shpreh se ka pasur një debulesë, për shkak se është me agjërim.

Të Fundit