U denoncuan nga “Stop”, procedohen penalisht punonjësit që shitën ilaçet e spitalit të Tepelenës në farmaci private

Pas denoncimit nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, janë proceduar penalisht shefja e Shërbimit dhe kryeinfermierja në spitalin e Tepelenës, të cilat shitën ilaçet e këtij institucioni në një farmaci private. Gjithashtu, për rasti është procdeduar penalisht dhe 42 vjeçarja me profesion farmaciste.

“Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop”, të një rasti të shitjes së ilaçeve me vulën e spitalit të Tepelenës, në një farmaci private, për llogari të 3 shtetaseve (2 prej tyre, punonjëse në këtë spital), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetaset përgjegjëse për këtë rast”, njofton policia.

Konkretisht, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë:

44-vjeçarja, Klodiana Gjonçaj, banuese në Tepelenë, me detyrë shefe e Shërbimit, në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

61-vjeçarja me iniciale N. Z., banuese në Tepelenë, me detyrë kryeinfermiere, në Urgjencën e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

42-vjeçarja, Jorida Gjermeni, banuese në Tiranë, me profesion farmaciste, pronare e subjektit privat ku shiteshin ilaçet me vulën e spitalit të Tepelenës.

Në vijim, gjatë kontrolleve në spitalin e Tepelenës dhe në farmacinë e Jorida Gjermenit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kartela dhe regjistra mjekësorë që dyshohet se janë plotësuar me të dhëna fiktive, për të shitur ilaçe për përfitime personale.

Sekuestrohen dokumente të spitalit (kartela dhe regjistra) që dyshohet se janë plotësuar fiktivisht për të marrë ilaçet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Të Fundit