U arrestua pasi nuk veshi hixhabin dhe ndërroi jetë pas dhunës së policisë, Irani: Aksident fatkeq!

Shefi i Policisë në Teheran, Hossein Rahimi, reagoi per vdekjen e 22-vjecares e cila u arrestua dhe me pas u dhunua nen akuzen se nuk kishte veshur hixhabin, duke e cilesuar si aksident “fatkeq”, që nuk dëshiron të përsëritet. Mahsa Amini, 22-vjeçare, ka rënë në komë javën e kaluar, disa orë pasi policia për moral e ka ndaluar atë nën dyshimet se ka shkelur rregullat për vendosje të hixhabit. Dëshmitarët kanë akuzuar zyrtarët se e kanë rrahuar atë, mirëpo Rahimi ka mohuar akuzat.

Vdekja e saj ka nxitur protesta në kryeqytetin iranian dhe në perëndim të shtetit, ku dy persona është raportuar të jenë vrarë në përleshjet me policinë ditën e hënë. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale janë parë disa njerëz duke gjuajtur me gurë dhe më pas duke ikur pas të shtënave me armë zjarri.

Në disa pamje tjera janë shfaqur protestuesit në Teheran, dhe disa gra që kanë hequr shamitë e kokës dhe kanë bërtitur “vdekje diktatorit” – shprehje e përdorur për liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Amini, kurde etnike, e cila ka qenë nga qyteti perëndimor, Saqez në provincën e Kurdistanit, ka vdekur të premten në spital, pas tri ditëve në komë.

Ministria e Brendshme, ka thënë të shtunën se Amini duket se ka pasur “probleme shëndetësore në të kaluarën”. Megjithatë, babai i viktimës u ka thënë mediave pro-reformuese të dielën se vajza ka qenë “e shëndetshme dhe pa probleme shëndetësore”. Vdekja e vajzës ka rritur kritikat ndaj Policisë për moral në Iran, e cila së fundi ka nisur një fushatë kundër “veshjeve jo të përshtatshme”.

Të Fundit