Pritshmëri të larta për sezonin, prenotime nga qytetarë nga vende të ndryshme të Europës
Shëngjini ka pritur vizitorët e parë. Qytetarë nga zonat përreth, por edhe nga Kosova kanë zgjedhur ta kalojnë fundjavë në këtë bregdet duke shfrytëzuar motin e ngrohtë.
Pritshmëritë për sezonin veror janë të larta. Hotelet kanë shtuar kapacitetet akomoduese ndërsa numri i prenotimeve është më i madh se vitin e kaluar. Operatorët turistikë thonë se ka kërkesa nga turistë nga disa shtete të Europës.
“Ky vit të jemi realistë ka më shumë rezervime nëpërmjet booking, nëpërmjet klientëve të huaj, ndoshta ngaqë i është bërë një reklamë e madhe turizmit nëë Shqipëri dhe ky vit duket që do të jetë goxha i suksesshëm dhe i fuqishëm”, tha menaxheri Bledar Shima.
“Prenotimet kanë dy muaj që kanë nisur. Pjesa më e madhe i kemi nga Kosova, nga emigrantët e Kosovës që banojnë në Gjermani dhe Zvicër. Pothuajse edhe nga të haj, përgjithësisht nga gjermanë dhe polakë. Ky sezon duke u nisur nga prenotimet ka filluar i mbarë”, tha Donila Përlleshi, operatore turistike
Në të njëjtën kohë bizneset po merren edhe me përgatitjet. Duket se sigurimi i stafit nuk është problem në Shëngjin sa në pjesën tjetër të vijës bregdetare të vendit. Menaxherët e bizneseve thonë se kanë personel ndërsa disa prej tyre janë të rinj të trajnuar.
“Mangësi punëtorësh të specializuar ka. Punëtorë ka për të pasur, por ne jemi duke i trajnuar. Besoj se disa punëtorë të mirë lëvizin, sepse edhe tregu është i hapur. Numri i personave që janë punëtorë këto janë. Duke menduar që niveli i pagave vazhdon dhe rritet, por gjithsecili zgjedh më të mirin dhe ecën për veten e vet”, tha Shima.
“Ka problematikë, por ne jemi pothuajse me atë staf që kemi qenë vitet e tjera”, tha Përllleshi.
Shëngjini është një nga zonat më të vizituara në vend. Ky bregdet preferohet për kushtet si pastërtia dhe qetësia, ndërsa zgjidhet edhe nga shumë të huaj.