Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin tarifat për makinat dhe kamionët e importuar nga Bashkimi Evropian në 25%, duke filluar nga java e ardhshme, duke akuzuar bllokun për mosrespektim të një marrëveshjeje tregtare.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi vjen si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes nga ana e BE-së.
“Jam i kënaqur të njoftoj se, duke qenë se Bashkimi Evropian nuk po respekton marrëveshjen tregtare të rënë plotësisht dakord, javën e ardhshme do të rris tarifat për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në 25%”, shkroi ai.
Presidenti amerikan nuk dha detaje konkrete mbi shkeljet e supozuara të marrëveshjes, por theksoi se automjetet e prodhuara nga kompanitë evropiane brenda SHBA-së do të përjashtohen nga këto tarifa.
Sipas tij, masa synon të nxisë prodhuesit e automjeteve të investojnë më shumë në prodhimin vendas, pavarësisht kostove më të larta.
Trump pretendoi gjithashtu se aktualisht janë në ndërtim shumë fabrika të reja automobilistike dhe të kamionëve, me investime që tejkalojnë 100 miliardë dollarë, duke e cilësuar këtë si një rekord.
Verën e kaluar, presidenti Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishin rënë dakord për një marrëveshje kornizë që parashikonte një kufi prej 15% për shumicën e importeve të BE-së në SHBA, përfshirë makinat dhe pjesët e tyre. Në këmbim, BE-ja ishte angazhuar të hiqte tarifat për mallrat industriale amerikane dhe të përmirësonte aksesin në treg për produkte bujqësore si mishi i derrit dhe produktet e bulmetit.



