Një baba nga Kosova (Albrim F.) bashkë me 4 djemtë e tij ka mbajtur në Zvicër, 4 vajza si skllave për 16 vjet.
Kjo histori tronditëse është publikuar nga gazeta “Blick”, ku në artikull nënvizohet se gratë u mbajtën si skllave për 16 vjet – pa e vënë re askush.
Javën e ardhshme prindi kosovar dhe katër djemtë e tij do të dalin para gjyqit të qarkut në Moutier, në kantonin Jura afër Bernit. Sipas aktakuzës gratë janë izoluar, kërcënuar, përdhunuar dhe mbajtur si skllave. Ndërkohë të arrestuarit mohojnë akuzat.
“Burrat mohojnë të kenë kryer ndonjë gjë të paligjshme. Gratë ishin dakord me gjithçka”, thotë avokati i tyre.
Më 2019, sipas gazetës zvicerane, gratë arritën të ikin nga banesa ku mbaheshin. Tani janë në një vend të sigurt dhe mbrohen nga autoritetet.
Avokati i grave të dëmtuara deklaroi me vetëbesim se pas trajtimit të keq të viktimave qëndron “Kanuni mesjetar shqiptar”.