Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur para 6 ditësh në kryeqytet, ku një sasi tritoli shpërtheu jashtë një fasonerie në Fresk.
Bazuar në njoftimin e tyre zyrtar, mësohet se dy persona janë vënë në pranga, Edmond Arapi 46 vjeç dhe një i mitur.
Ka qenë Arapi ai që e ka nxitur 16-vjeçarin për vënien e tritolit në fasonerinë në pronësi të italianit Roberto Bingaidos. Ai i ka dhënë të miturit 100 000 lekë të rinj në mënyrë që të vinte eksplozivin.
Tiranë | Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.05.2023, në rrugën “Fadil Deliu”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të një fasonerie, në pronësi të italianit Roberto Bingaido.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i Edmond Arapi, 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të Roberto Bingaidos.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së Edmond Arapit.